Anëtarët e Komitetit të Prodhimit diskutuan lidhur me ndikimin e krizës energjetike në prodhimtari

Prishtinë, 15 dhjetor 2021 – Në takimin e Komitetit të Prodhimit të mbajtur me datë 15 Dhjetor, në Odën Amerikane, anëtarët e Komitetit adresuan shqetësimin e tyre lidhur me krizën energjetike që tanimë ka prekur edhe shtetin e Kosovës, si dhe ndikimin që e njejta ka në fushëveprimin e tyre si prodhues.

Bajram Rushiti, nga Buka Bakery, filloi takimin duke përmendur humbjet e mëdha që mund të shkaktohen në të ardhmen, nëse nuk ndërmerren hapa të shpejtë nga institucionet përkatëse.

Rushiti vazhdoi duke potencuar se kriza energjetike do të zgjasë për një kohë të pacaktuar, dhe se subvencionimi, qoftë edhe vetëm pjesërisht, do të ishte e vetmja rrugdalje në pozitën ku ndodhemi tani.

Estimimi i cmimeve dhe ndërtimi i paneleve solare, me prioritizim të sektorit privat, ishin rekomandime shtesë, që e dha z.Rushiti.

Taulant Krasniqi, përmendi që Kosova mund të merr shembull nga shtetet më të zhvilluara sa i përket modeleve per t’u ballafaquar me krizën energjetike.

Tutje, Agron Jusufi, ngriti edhe cështjen e burokracisë si pengesë për investime të huaja, duke përmendur më saktësisht rastin e një firme franceze e cila pas pritjes së gjate të një pergjigjeje nga Republika e Kosovës, ka shkuar në Maqedoninë e Veriut dhe ka kryer investimin të cilin ka dëshiruar ta bëjë në Kosovë, në rend te parë.