Arbitrazhi Komercial: Mundësi e shkëlqyeshme në fushën akademike

Prishtinë, 16 Tetor, 2015 – Qendra e Arbitrazhit në Odën Ekonomike Amerikane përfundoi Javën e Arbitrazhit 2015 me një ngjarje të organizuar për studentët e Kolegjit Universum, e cila rezultoi me interes dhe pjesëmarrje nga ta. Sekretari Gjeneral i Qendrës së Arbitrazhit, Anjezë Gojani, ndau me studentët pjesëmarrës eksperiencën e saj personale në këtë fushë, duke e ndërlidhur atë me rolin e rëndësishëm të arbitrazhit dhe ndërmjetësimit si metoda alternative të zgjidhjes së kontesteve. Duke marrë parasysh se përveç në praktikë, arbitrazhi dhe ndërmjetësimi janë poashtu mjaft të shpeshta në botën akademike, ajo tha se interesi për studim në këtë fushë është duke u rritur në vazhdimësi. Prandaj, znj. Gojani poashtu prezantoi mundësitë e shumta në dispozicion për karrierë dhe studime në këtë fushë.

Më tutje, Gojani siguroi studentët se Qendra e Arbitrazhit do t’u ofroj përkrahje në këtë drejtim, dhe pas përfshirjes së tyre në listën e studentëve të Qendrës së Arbitrazhit, ata do të informohen lidhur me mundësitë akademike në këtë fushë, përfshirë bursat e studimeve dhe garat me raste të simuluara.

Studentët kishin mundësinë që të jenë pjesë e një diskutimi interaktiv me ligjëruesin lidhur me tema të ndryshme në fushën e arbitrazhit, dhe të mësojnë më shumë mbi dallimet në mes të arbitrazhit dhe gjykatave të rregullta. Në temë tjetër me rëndësi ishte poashtu diskutimi lidhur me mundësitë e studimit në këtë fushë, ku studentët shprehën interes të madh përmes pyetjeve dhe komenteve të tyre.

You must be logged in to post a comment.