Arbitrazhi kundrejt gjykatave ka më shumë avantazhe për zgjidhjen e kontesteve biznesore

Prishtinë, 15 dhjetor 2020 – Shpeshherë ekzistojnë dilema në mesin e bizneseve dhe profesionistëve rreth opsioneve për zgjidhjen e kontesteve biznesore, respektivisht në mes të gjykatës dhe arbitrazhit si metodë alternative, prandaj, gjatë aktivitetit “Ditët e Drejtësisë Komerciale: Arbitrazhi në Fokus” të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Programi i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Drejtësi Komerciale, përmes një forumi virtual u diskutua mbi avantazhet dhe disavantazhet e arbitrazhit në raport me gjykatat, sa i përket zgjidhjes së çështjeve komerciale.

Merita Stublla Emini, avokate dhe arbitre në Qendrën e Arbitrazhit të Odës Amerikane, vlerësoi se pavarësisht mundësive që ofrojnë të dy opsionet, përparësi më të madhe për bizneset ofron arbitrazhi, meqë baza ligjore, mekanizmat dhe mundësitë qe ofrohen në arbitrazh janë më të avancuara, më të thjeshta, fleksibile dhe më të shpejta në raport me çështjet qe trajtohen nga gjykata. Stublla Emini theksoi se bazuar në informatat që posedon, sistemi juridik në Kosovë aktualisht ka 300,000 lëndë ne sistem, ndërsa koha mesatare e zgjidhjes së një çështjeje civile është shtatë vite, gjë që dekurajon palët por edhe drejtësinë, krijon kosto të madhe për trajtim të çështjeve përmes sistemit gjyqësor, dhe ndikon në punën e bizneseve. Megjithatë, ajo u shpreh se kjo nuk do të thotë se duhet të jemi kundër sistemit të drejtësisë, por duhet të kemi mundësi t’i ndryshojmë kushtet aktuale në mënyrë që drejtësia të vihet në vend me kohë.

Sokol Elmazaj, kryesues i Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Ekonomike Amerikane, theksoi se pasi shfaqet një mosmarrëveshje në mes bizneseve është e rëndësishme të dihet nëse palët kanë interesim të gjejnë zgjidhje dhe të vazhdojnë më tej me aktivitetin e biznesit të tyre, apo janë të interesuar vetëm ta fitojnë luftën. Ai u shpreh se mosmarrëveshjet kontraktuale mund të vijnë nga situata që jo domosdoshmërisht janë në vullnetin e palëve që përmbushin kontratën, dhe shpesh janë rrethanat ekonomike ato që mund të sjellin paaftësi përmbushëse të njërës prej palëve. Elmazaj theksoi se nëse bizneset janë të interesuara për zgjidhje të shpejta dhe fleksibile të kontesteve, arbitrazhi ka më shumë avantazh në krahasim me gjykatën, meqë në këtë proces nuk ndiqen rregulla të shkruajtura në shkëmb, siç janë ato të cilat duhet të i ndjekë gjykata. Ai gjithashtu potencoi se aktualisht Kosova është duke vlerësuar formimin e Gjykatës Komerciale, që është hap shumë i rëndësishëm i cili do ndihmojë shumë në zgjidhjen nga ana e gjykatave të mosmarrëveshjeve tregtare ndërmjet palëve.

Vjosa Shkodra,  zëvendës drejtoreshë e programit të USAID për Drejtësi Komerciale, theksoi se tash pothuajse po përfundon viti i dytë i këtij programit pesë-vjeçar, ndërsa sukseset që janë arritur me projektin e tanishëm janë reforma të prekshme dhe të qëndrueshme për sistemin e drejtësisë komerciale në Kosovë. Shkodra theksoi se zgjidhja e kontesteve biznesore në gjykata është një ndër objektivat që ky projekt adreson, derisa përmendi se procedurat për themelimin e Gjykatës Komerciale janë një lajm jashtëzakonisht i mirë për bizneset, pasi përveç se do të lehtësohet zgjidhja e kontesteve të pasurit një gjykatë të tillë ndihmon edhe në tërheqjen e investitorëve të huaj. Shkodra theksoi se megjithëse arbitrazhi ka një kuadër ligjor, tribunalet dhe arbitrat, pa Gjykatë Komerciale nuk ka siguri juridike sidomos për investitorë të huaj, gjë që automatikisht ndikon në kualitetin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

Aktiviteti “Ditët e Drejtësisë Komerciale: Arbitrazhi në Fokus” i organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Programin e USAID për Drejtësi Komerciale përfshin një serë forumesh virtuale përmes së cilave synohet rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit të biznesit rreth metodave alternative për zgjidhje të kontesteve komerciale.