Arbitrazhi mundëson zgjidhjen e kontesteve ekonomike në mënyrë profesionale dhe përmes ekspertizës së ngushtë

Prishtinë, 1 prill 2021 – Gjatë ditës së tretë të Javës së Arbitrazhit, aktivitet ky i organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me programin e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Drejtësi Komerciale, u shtjellua tema e arbitrazhit në vendet në zhvillim. Një diskutim shumë i frytshëm për këtë proces u zhvillua me panelistë nga komuniteti vendor dhe ndërkombëtar i arbitrazhit, gjatë së cilit me theks të veçantë u diskutuan përfitimet në përgjithësi nga arbitrazhi si metodë alternative për zgjidhjen e kontesteve tek vendet në zhvillim, të cilat rëndom ballafaqohen me sundim të dobët të ligjit.

Ky diskutim u moderua nga sekretarja e përgjithshme e Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, Tea Blakaj-Hoxha, e cila mes të tjerash përmendi se gjykatat në Kosovë janë shumë funksionale në njohjen e vendimeve të arbitrazhit, si dhe gjyqtarët e Departamentit për Çështje Ekonomike janë shumë të familjarizuar me arbitrazhin.

Pjesë e panelit të këtij diskutimi ishte udhëheqësi i programit të USAID për Drejtësi Komerciale, Chris Thompson, i cili u bëri thirrje ndjekësve të jenë kurioz për arbitrazhin dhe të hulumtojnë mbi përfitimet që i njëjti ka në krahasim me gjykatën, si dhe të përdorin sa më shumë klauzolën e arbitrazhit në kontratat e tyre. Thompson foli mbi përkrahjen që USAID në përgjithësi ofron për përmirësimin e sundimit të ligjit në ekonomitë në tranzicion, derisa gjithashtu përmendi aktivitetet e ndryshme të programit që ai udhëheq në Kosovë, në përkrahje të zhvillimit të drejtësisë komerciale. Ai potencoi se është e rëndësishme që të shfrytëzohet sa më shumë arbitrazhi, meqë është metodë me kosto efektive, si dhe shumë më e shpejtë se gjykata.

Folës tjetër në këtë panel ishte edhe Michael Gold, drejtor menaxhues në kompaninë Crimson Capital, i angazhuar për përkrahjen e metodave alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në disa vende në zhvillim në Evropë, Afrikë dhe Amerikë Latine, i cili u shpreh se arbitrazhi është një metodë shumë efektive për të zgjidhur mosmarrëveshjet shpejt dhe në mënyrë të qartë.  Gold potencoi se vetë ka qenë përdorues i arbitrazhit në Kosovë, dhe të njëjtin e cilësoi si një proces shumë efikas dhe të besueshëm. Duke folur mbi eksperiencën e tij për vendet e tjera në zhvillim lidhur me arbitrazhin, Gold theksoi se ka hasur në rezistencë nga gjyqtarët për të pranuar arbitrazhin, meqë të njëjtit kanë besuar se ky proces do të ua zvogëlojë autoritetin atyre. Sidoqoftë, sipas Gold, kjo nuk është çështja, sepse arbitrazhi vetëm se lehtëson punën e gjykatave të cilat zakonisht janë të stërngarkuara.

Ndërsa, duke dhënë një perspektivë lokale, panelisti Sokol Elmazaj, avokat dhe kryesues i Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Ekonomike Amerikane, u shpreh se për të garantuar një mbarëvajtje të kësaj qendre, këshilli drejtues kujdeset për përzgjedhjen sa më të mirë të arbitrave, në mënyrë që ata të jenë profesionistë, me eksperiencë të gjerë në fushën ku arbitrojnë, si dhe njerëz me integritet. Elmazaj konsideroi se krahasuar me Shqipërinë, Kosova është shumë më e avancuar sa i përket arbitrazhit, derisa gjithashtu tha se avokatët luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e arbitrazhit dhe rekomandimin e të njëjtit tek palët.