Arbitrazhi, përgjigjja e çështjeve ekonomike mes bizneseve

Prishtinë, 30 mars, 2023  – Në vazhdimësi të aktiviteteve në kuadër të Javës të Arbitrazhit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Programin e USAID për Drejtësi Komerciale, një panel i shquar i fushës, diskutoi rreth arbitrazhit e ndërmjetësimit si shërbim për biznese dhe mjet efektiv në zgjidhjen e kontesteve ligjore.

Sokol Elmazaj Partner në kompaninë Boga & Associates cilësoi se pavarësisht ndryshimeve mes arbitrazhit dhe ndërmjetësimit, këto medota ligjore janë vendimtare në zgjidhjen e kontesteve dhe synojnë të gjejnë thelbin e mosmarrëveshjes mes palëve. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e përfshirjes së klauzolës së arbitrazhit në kontrata duke thënë se të gjitha çështjet ekonomike dhe kontestet që mund të lindin mes bizneseve mund të zgjidhen përmes shfrytëzimit të kësaj klauzole dhe arbitrazhit. Sipas tij, ky proces përbën një mënyrë më efektive, më të shpejtë dhe më të përballueshme në aspektin financiar për të gjitha bizneset që kanë nevojë për ndihmë ligjore.

Chris Thompson, Udhëheqës i Programit të USAID për Drejtësi Komerciale tha se ky program në mënyrë të vazhdueshme promovon arbitrazhin dhe ndërmjetësimin si mjet për biznese për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke shtuar se e njëjta u shërben edhe bizneseve startup. Thompson gjithashtu përsëriti se klauzola e arbitrazhit është pika rrëfyese e çështjeve ligjore mes palëve, dhe shembuj të të njejtës gjenden online, përkatësisht në faqen e internetit të Odës Amerikane tek Qendra e Arbitrazhit. Tutje, ai nënvizoi se një përparësi e arbitrazhit është se sesionet mund të mbahen kudo, dhe u përshtaten palëve.