Arbitrimi i kontesteve të lindura nga kontratat e prokurimit publik

Prishtinë, 28 Janar, 2016 – Në mënyrë që të disutohet mbi alternativën e përzgjedhjes së arbitrazhit si metodë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për kontestet e lindura nga kontratat e prokurimit publik, si dhe përparësitë të cilat e përcjellin këtë strategji të zgjidhjes së këtyre mosmarrëeshjeve, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi tryezën e rrumbullakët ‘Arbitrimi i kontesteve nga marrëveshjet e prokurimit publik’.

Përveç anëtarëve të Odës Amerikane, pjesëmarrës në tryezë ishin Safet Hoxha, Kryesues i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Njomëza Zejnullahu, Arbitër pranë Qendrës së Arbitrazhit të Odvs Amerikane, Ardi Shita, Sekretar Gjeneral i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane dhe Anjezë Gojani, Sekretar Gjeneral i Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane.

Në fjalimin e tij hyrës, Ardi Shita theksoi përkushtimin e madh të Odës Amerikane në lobimin për përfshirjen e klauzolave të arbitrazhit në kontrata, qoftë në mes të bizneseve, poashtu edhe kur marrëveshja është në mes të sektorit publik dhe privat. Kjo ishte konsideruar si problem i madh për të gjitha palët, prandaj dhe efikasiteti të cilin e ofron procedura e arbitrazhit rezulton të jetë e dobishme për komunitetin e biznesit dhe poashtu për shtetin.

Në anën tjeter, Safet Hoxha tha se problemet kryesore rrjedhin për shkak të qasjes burokratike të administratës, e cila ende mbetet sfidë për bizneset. Ai theksoi se arbitrazhi, si mekanizëm modern për zgjidhje të kontesteve, është procedurë fleksibile e cila eliminon pasiguritë, ofron konfidencialitet dhe mundësi për zgjidhje më të shpejtë, duke shtuar se mbetet si alternative favorite, në veçanti kur në rastet e prokurimit njëra nga palët i përket sektorit publik.  Për më tepër, mungesa e besimit në systemin gjyqësor sa i përket trajtimit të barabartë, përfaqëson problem me rëndësi i cili duhet të diskutohet.

Njomëza Zejnullahu, nga perspektiva e saj si arbitër inkurajoj bizneset që të përdorin avantazhet që ofrohen nga arbitrazhi, duke cituar faktin se aspektet procedurale janë të njejta me ato në gjykata, për sa i përket respektimit të parimeve bazë dhe barazisë së palëve, përderisa si avantazh ofron listën e arbitërve e cila përfshinë ekspert të profileve të ndryshme.

Më tutje, Anjezë Gojani përmendi faktin se rregullat e arbitrazhit kanë rezultuar si shumë efikase, duke theksuar vlerën e shtuar që arbitrazhi jep kundrejt procedurës së prokurimit publik. Si shqetësim të Odës Amerikane ajo theksoi mungesën e mbështetjes nga korniza legjislative për arbitrazhin vendor, dhe bëri thirrje për të filluar lobimin drejt krijimit të një kulture dhe edukimit të palëve në kontrata të prokurimit publik mbi përparësitë të cilat lindin nga përdorimi i këtij mekanizmi për zgjidhjen e kontesteve.

Safet Hoxha  prezantoi planin e KRPP lidhur me trajnimin e bizneseve lidhur me procedurat e arbitrazhit dhe përfshirjen e klauzolave të arbitrazhit si pjesë të kontratave standard. Duke marrë parasysh aktivitetin e Odës Amerikane në këtë drejtim, ai shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit të cilin drejton që në të ardhmen të ketë bashkëpunim të afërt lidhur me këtë.

Si përfundim, pjesëmarrësit kishin mundësinë që të adresojnë pyetjet e tyre dhe të diskutojnë shqetvsimet dhe hapat e mëtejm që duhet të ndërmirren. Si përfundim i përbashkët i tryezës ishte nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe privat, ku bizneset duke qenë si partner i shtetit, do të luanin një rol kyç për të arritur këtë qëllim.