Barazia gjinore rrit besimin në sistemin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë

Prishtinë, 24 nëntor 2021 – Për të diskutuar mbi rëndësinë dhe rolin e grave në drejtësi, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë bashkë me Programin për Drejtësi Komerciale të USAID, kanë organizuar ngjarjen Gratë në Drejtësi Komerciale.

Gresa Caka-Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës tha se në vazhdimësi gratë kanë shkëlqyer në  fushën e drejtësisë komerciale. Madje sipas saj, gratë kanë qëndruar në krye të reformave të rëndësishme në këtë fushë. Caka Nimani tha se përbërja e këtij forumi është dëshmi që Kosova është në rrugë të mbarë dhe se zhvillimi i drejtësisë në Kosovë ka qenë prioritet kyç, sepse përtej reformave përforcimi i mekanizmave që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik është drejtësia komerciale. Nimani tha se gratë kanë qëndruar në krye të reformave të rëndësishme në këtë fushë, duke theksuar kështu se integrimi i grave në jetën publike dhe në sektorin privat vazhdon të jetë i sfiduar.

“Vlerë themelore me Kushtetutë është edhe barazia gjinore në jetën politike, sociale e kulturore. Kosova ka miratuar Ligjin për barazinë ligjore, ku 30% e grave përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës. Gratë kanë dëshmuar se janë meritore për përfaqësim në vendimmarrje përmes sukseseve përkatëse” tha Caka Nimani.

Udhëheqësja e Misionit të USAID për Kosovë Zeinah Salahi tha se në Kosovë 1/3 janë gra gjyqtare, duke pohuar se pjesëmarrja e grave në profesione ligjore ofron vlerë të lartë për shoqërinë. Salahi tha se edhe pse Kosova është demokraci e re, ajo çfarë e karakterizon shtetin e Kosovës është zotimi i denjë për të përmirësuar drejtësinë. Sipas Salahi, USAID është e përqendruar të punoj për sistemin e drejtësisë komerciale në sundimin e ligjit, megjithatë pavarësisht arritjeve të mëdha, gratë janë të përfaqësuara në shumicë të madhe në Kosovë.

Salahi theksoi se “pjesëmarrja e grave në profesione ligjore ofron vlerë të lartë për shoqërinë. Duhet inkurajuar sa më shumë gra të përfshihen në procese ligjore për sundim të ligjit”.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka tha se në Kosovë numri i grave gjykatëse është 33%, duke shtuar kështu se rritja e pjesëmarrjes së grave ndikon në rritjen e besimit në punën e gjykatave.

“Për ne që përfaqësojmë sektorin privat jemi të njoftuar se sa i rëndësishëm është një sistem i drejtësisë. Besoj që rritja e pjesëmarrjes së grave ndikon në rritjen e besimit në punën e gjykatave. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 34% e gjykatësve janë gra. Numri i grave gjykatëse në Kosovë është 33%” tha Zeka.

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Doarsa Kica Xhelili tha se pothuajse të gjitha gratë janë ballafaquar me diskriminim gjinor. Ajo tha se lëvizja nga një avokate në deputete ka qenë e paparashikuar dhe se ka vlerësuar se ka potencial të kontribuoj si deputete. Tutje, Kica Xhelili tha se në aspektin e drejtësisë komerciale vlerëson se secila nga gratë është ballafaquar me diskriminim gjinor.

Nita Shala, zëvendësministre e Drejtësisë, tha se për të shembuj kanë qenë gratë e suksesshme në vend.  “Shembujt e suksesit kanë shërbyer edhe për mua. Kam qenë kurioze të mësoj në drejtësi. Vjosa Osmani ka qenë personi i parë që më ka prezantuar me fushën e të drejtës. Faktori tjetër është vendosshmëria që sfidat t’i shoh mundësi për t’i ballafaquar”.

Arjeta Sadiku, anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës tha se përvoja e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shërbyer që të vazhdojë rrugën në Kosovë. Ajo tha se si avokate, pastaj edhe si bashkëpunëtore profesionale ka takuar gjyqtare të suksesshme të Evropës që kanë shërbyer në vendin tonë.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama tha se e gëzon fakti që gratë kanë marrë pozita udhëheqëse në institucione të ndryshme, duke thënë se roli i grave dëgjohet çdo kund dhe se vetë prania e grave në sistem gjyqësor do të thotë që është i larmishëm.