Bashkëbisedim në mes të ASHI dhe Komitetit të Ekonomisë Digjitale të Odës Amerikane

Prishtinë, 23 shkurt 2022 – Komiteti i Ekonomisë Digjitale i Odës Eknomike Amerikane dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit diskutuan mundësinë e digjitalizimit ekonomik në institucionet shtetërore dhe mundësinë e partnertitet në mes të sektorit privat me atë publik.

Kujtim Gashi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqerisë së Informacionit (ASHI) shpjegoi se si institucionet e tjera shtetërore e marrin si të mirëqenë ekonominë digjitale, por megjithatë me aktivitetet e ndryshme të kompanive të digjitalizuara dhe me ndihmën e ASHI-së është dëshmi e mjaftueshme për zhvillimin e digjitalizimit kombëtar dhe ndërkombëtarë, prandaj transformimi i administratës shtetërore dhe politikat publike janë të varura në masë të madhe nga zhvillimi i teknologjisë informative. “E-Kosova është maja e piramidës së ndërtimeve të sistemeve sa i përket tranformimit digjital”, tha ai.

Astrit Leti, Drejtor i Operacioneve për Kosovë në kompaninë Tive përmendi aktivitetin e komitetit si mjaft pozitiv për vendin, përderisa ekonomia digjitale është temë mjaftë e gjerë në shumë fusha dhe aspekte që prek ҫdo industri. Ai mendon se me ndihmën e Odës Amerikane dhe ASHI-së si prapavijë, të ketë advokim për shtyrje të disa proceseve të rëndësishme, në mënyrë që të ndihmohet ky komitet për ngritjen e çështjeve në nivel kombëtar. Ai beson se ҫdo përfaqësues i kompanive të këtij komiteti sfidohet ngjashëm me resurse njerëzore, pasiqë kompanitë kanë filluar të hapin akademi të vetat që të mund të zhvillojnë stafin dhe ekspertizën e tyre dhe, në fund, rrjedhimisht edhe vetë kompaninë.

Anëtarët e këtij komiteti diskutuan edhe për platformën e e-Kosova, sistemet burimore, nënshkrimin elektronik i cili ka hyrë në fuqi dhe është në zbatim dhe çështje të tjera të rëndësishme të sektorit të ekonomisë digjitale.