Bazat e procedurës së arbitrazhit për zyrtarët e prokurimit

Prishtinë, 31 janar 2017 – Vonesat në ekzekutimin e punëve publike shpesh ndërlidhen me kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore. Kjo situatë është në kundërshtim me parimet e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies, si parime të procedurës së prokurimit publik. Arbitrazhi konsiderohet si zgjidhje e mundshme e këtij problemi, duke qenë forum i shpejtë, profesional, dhe netural për zgjidhjen e të gjitha kontesteve të lindura nga ekzekutimi i kontratave të prokurimit publik. Legjislacioni në fuqi nuk e kufizon një mundësi të tillë, përderisa edhe kontratat kornizë të prokurimit shprehimisht lejojnë palët që të zgjedhin ndërmjet arbitrazhit dhe procedurës gjyqësore. 

Me qëllim të thellimit të njohurive të zyrtarëve të prokurimit lidhur me arbitrazhin, dhe ofrimin e informatave se si ky mekanizëm të përdoret në mënyrë më efikase nga ta, Qendra e Arbitrazhit në Odën Amerikane organizoi një punëtori me po këtë temë.  Punëtoria e cila u udhëhoq nga Korab R. Sejdiu, arbitër dhe avokat i licencuar në SHBA, adresoi elementet themelore të arbitrazhit, çështjet problematike aktuale, mundësinë e ndërtimit të kapacitetetit të zyrtarëve të prokurimit për të vlerësuar rastet kur arbitrazhi është i duhur, si dhe taktikat e hartimit të klauzolave sa më të përshtatshme të arbitrazhit

Njëra ndër sfidat kryesore e cila u prezantua gjatë punëtorisë ishte mungesa e njohurive të zyrtarëve të prokurimit lidhur me mënyrën e hartimit dhe përfshirjes së klauzolave të arbitrazhit, si dhe procedura e përzgjedhjes së përfaqësuesve juridik, atëherë kur shteti apo organet shtetërore paraqiten si palë në procedurë të arbitrazhit. 

Debati u përqëndrua në analizën e arbitrazhit, sidomos në dritë të rasteve të fundit të arbitazhit ndërkombëtar ku shteti i Kosovës paraqitet si palë. Pjesëmarrësit poashtu u përqëndruan në analizën e raporteve kontraktuale kur kontratat publike mund të përfshijnë arbitrazhin vendor si mekanizëm alternativ të zgjidhjes së kontesteve. Ata pohuan se kjo punëtori kontribuon në rritjen e kujdesit të tyre gjatë procesit të hartimit të kontratave.

You must be logged in to post a comment.