Behgjet Pacolli ndau rrugëtimin e tij plot sfida në Odën Ekonomike Amerikane

Prishtinë, 12 nëntor 2021- Behgjet Pacolli, afarist dhe politikan ishte i ftuari i radhës në kuadër të Javës Globale të Ndërrmarrësisë në moderimin e Arian Zekës, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Behgjet Pacolli tha se pikënisja e tij ka filluar në një fshat të vogël dhe se është vështirë të zësh vend në një shoqëri dhe të ndryshosh ambient e të adaptohesh. Ai tha se të gjithë janë pjesë e rëndësishme e komunitetit dhe se individi e ambienti janë dy entitete që e plotësojnë njëra tjetrën dhe se është e rëndësishme që këto të dyja të jenë në harmoni për të përmbushur një funksion të caktuar.

Pacolli tutje shtoi se bashkëbisedimi me të tjerët ndihmon në përvojat e jetës dhe se gjithmonë ka marrë informacione dhe këshilla nga të tjerat, andaj ‘sa më shumë bashkëpunim me të tjerët, aq më i sigurt është procesi’.

Ai rekomandoi ndërrmarrësit që të bëhen bashkë dhe të formojnë një asociacion që të diskutojnë mbi bizneset, por që ndonjëherë mungojnë ngjarjet dhe qasjet në këtë aspekt.

 

‘Kultura e të qenit ndërrmarrës nuk ka gjetur ende përkrahje në Kosovë dhe infrastruktura ligjore duhet të jetë sa më e lehtë për bizneset, sepse kjo kulturë tani pengon ndërrmarrësin kosovar’, shtoi ai.