Prishtinë, 10 janar, 2019 – Pavarësisht faktit se gjatë vitit 2018 janë bërë reforma të shumta në mjedisin e të bërit biznes si dhe ofrimi i lehtësirave tatimore për bizneset vendore, ekonomia do të mbetet prioriteti kryesor i Qeverisë së Kosovës gjatë vitit 2019. Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ku u diskutua mbi zhvillimin ekonomik të vendit si dhe hapat e mëtutjeshëm në përmirësimin e mjedisit afarist në vend.
Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, tha se Oda Amerikane ka mirëpritur reformat fiskale gjatë vitit 2018. Ai shprehu gatishmërinë e Odës Amerikane në rritje të bashkëpunimit si dhe ofrimit të rekomandimeve në lehtësimin e procesit të të bërit biznes në Kosovë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, shprehu prioritetin kryesor të Qeverisë për vitin 2019 e që është zhvillimi i ekonomisë në vend, duke shtuar se kemi zgjedhur pikërisht Odën Amerikane për të nisur jetësimin e këtij prioriteti. Ai tha se avancimi i reformave fiskale në mjedisin e të bërit biznes do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti duke përmendur nevojën e rritjes së dialogut midis sektorëve publik dhe privat si kyç në zhvillim të mirëfilltë ekonomik në vend. Kryeministri Haradinaj përmendi si të rëndësisë primare vazhdimin e zhvillimit të Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane ku përmes saj do të rritet numri i investimeve të huaja direkte në vend. Ai më tutje tha se Qeveria e Kosovës do të punojë në lehtësimin e zhvillimit të bizneseve kosovare në aspekt ligjor, duke falenderuar Odën Amerikane për gatishmërinë e saj për dialog dhe partneritet të vazhdueshëm në këtë aspekt.