Bizneset diskutojnë metodologjitë për përgatitjen e rasteve të arbitrazhit

Prishtinë, 10 nëntor 2014 – Përparësitë e arbitrazhit ndaj gjykatave lidhur me zgjidhjen e kontesteve ekonomike, nevoja për përdorim më të gjerë të arbitrazhit nga bizneset, si dhe rëndësia e klauzolave të arbitrazhit të hartuara mirë janë faktorë të cilët bizneset duhet t’i marrin parasysh kur diskutohet mbi strategjitë e zgjidhjes së kontesteve. Përderisa përparësitë e arbitrazhit ishin mesazhi i secilit anëtar të panelit në punëtorinë e organizuar nga Oda Amerikane, panelistët poashtu këshilluan bizneset mbi tema të caktuara lidhur me përgatitjen e rasteve në arbitrazh.

Në fjalimin e tij hyrës, Sekretari Gjeneral i Qendrës së Arbitrazhit, Visar Ramaj, tha se fokusi i punëtorisë janë procedurat e arbitrazhit dhe rëndësia e pjesës së shkruar (Padia, Përgjigja në Padi, njoftimet) si dhe seancat dëgjimore. Në mënyrë që t’i ndihmojnë bizneset, ai poashtu prezantoi materialet të cilat janë hartuar nga Qendra e Arbitrazhit dhe të cilat përfshijnë pasqyrat e shkurtuara të procedurës si dhe shembuj të dokumenteve të cilat përdoren në arbitrazh.

Avdi Ahmeti, avokat dhe arbitër pranë Qendrës së Arbitrazhit, në prezantimin e tij u përqëndrua në zhvillimin historik të arbitrazhit në Kosovë dhe ndau përvojën e tij përgjatë shërbimit si arbitër për 30 vite. Për më tepër, ai bëri dallime në mes të sistemit gjyqësor të Kosovës dhe procedurës së arbitrazhit duke u treguar palëve se çfarë të presin nga secila prej tyre. Z. Ahmeti sygjeroj se kur është fjala tek transakcionet biznesore, bizneset duhet gjithmone të zgjedhin arbitrazhin si alternativë për parashikueshmërinë ligjore të tyre.

Duke e falenderuar Odën Amerikane dhe USAID për këtë ngjarje, Valbon Mulaj, ligjërues i arbitrazhit në Universitetin e Prishtinës, u përqëndura në tri tema: përparësitë në krahasim me gjykatat, kërkesat ligjore gjatë hartimit të klauzolave të arbitrazhit, dhe metodat e menaxhimit të rastit nga perspektiva e arbitrit. Në mes tjerash, Z. Mulaj siguroi palët se arbitrazhi ofron procedurë shumë më të thjeshtë dhe efikase në krahasim me gjykatat, për më tepër ofroj shembuj konkret se si arbitrit menaxhojnë rastet dhe u tregoj pjesëmarrësve se si të mbajnë profesionalizmin e tyre në arbitrazh dhe si të përgatisin dëshmitë.

Një diskutim mbi dallimet në mes të arbitrazhit dhe procedurës gjyqësore, përfshirë procedurat shkresore u nis nga panelisti i rradhës, avokati Korab Rexhepi, i cili ndau përvojën e tij me procedurën gjyqësore si dhe atë të arbitrazhit nga perspektiva e avokatit. Në mes tjerash, ai diskutoi mbi avantazhet procedurale të arbitrazhit, hartimin e dokumenteve për përdorim në arbitrazh, dhe ndau përvojën e tij përmes të cilës deklaroj se në arbitrazh secila kërkesë dhe secila provë e ofruar do të trajtohet deri në detaje. Rexhepi poashtu inkurajoj bizneset që të përdorin arbitrazhin për arsye të një numri të madh të përparësive.

Këshillat e njejta u përkrahën edhe nga arbitri dhe këshilltari ligjor i kompanisë FINCA, Vigan Rogova, i cili insistoj në përfshirjen e klauzolave të arbitrazhit në kontrata, megjithatë tha se kjo duhet të bëhet me kujdes të madh gjatë negocimit dhe hartimit të kontratave. Ai këshilloj pjesëmarrësit që të kërkojnë përfshirjen e personave me përvojë në hartimin e kontratave dhe ndau përvojën e tij mbi këshillimin e kompanive dhe se pse arbitrazhi mbetet metoda e preferuar e zgjidhjes së kontesteve për bizneset serioze.

Debati vazhdoi me përfaqësuesit e bizneseve dhe universiteteve partnere të cilat ngritën çështje të natyrave të ndryshme, nisur nga qasja ndaj rasteve, kontestet të cilat nuk mund të zgjidhen me arbitrazh, si dhe themelimi i klinikave në fushën e arbitrazhit.

Takimi u mbyll nga Sekretari Gjeneral i Qendrës së Arbitrazhit, Visar Ramaj duke iu falenderuar të pranishmëve për pjesëmarrjen dhe duke ftuar kompanitë që të referohen tek Qendra e Arbitrazhit lidhur me këshilla specifike mbi arbitrazhin.

Kjo punëtori u bë e mundshme me përkrahjen e USAID, Forward Initiative, si pjesë e projektit për ngritjen e kapaciteteve të Qendrës së Arbitrazhit.