Bizneset konsiderohen si faktorë thelbësorë në gjenerimin e vendeve të reja të punës

Prishtinë, 10 nëntor 2021-Forumi i organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në kuadër të Javës Globale së Ndërmarrësisë, ku u diskutua për rolin e qeverisjes lokale në promovimin e ndërmarrësisë, me kryetarët e komunave të Kosovës.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka theksoi se ky forum fokusohet në elemenet e ekosistemit të ndërrmarrësisë, të cilat janë të pashmangshme, si në nivelin lokal e edhe në atë qendror.

Bedri Hamza, kryetari i ri i komunës së Mitrovicës theksoi se çështja e punësimit mbetet prioritet dhe se bizneseve duhet t’ju thjeshtohen procedurat administrative, në mënyrë që të ketë sa më pak taksa. Tutje, ai përmendi se duhet të krijohet infrastrukturë dhe një zyrë e veçantë për bizneset, duke theksuar se këto të fundit po ballafaqohen me mungesën e kuadrove profesionale, dhe në këtë aspekt profili i nxënësve është shumë i rëndësishëm pasi që po përballemi me konkurrencë globale.

‘Fond të veçantë do të krijohet për bizneset e reja në Mitrovicë, veçanërisht për bizneset inovative dhe ato qe udhëhiqen nga gratë dhe vajzat. Përkrahje të madhe do të ketë edhe fusha e teknologjisë informatike sepse ekonomia digjitale është e ardhmja’ theksoi Hamza.

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj tha se ka numër të konsiderueshëm të bizneseve në Suharekë, dhe se sheh potencial dhe interesim të madh nga diaspora për të investuar në këtë komunë. Ai tutje tha se zona industriale do t’u jepte përparësi bizneseve te reja dhe se shkollat, si ajo teknike në Suharekë kanë ndihmuar në rritjen e vendeve të punës. Sigurimi shëndetësor dhe profesional mbeten sfida për Kosovën në mënyrë që potenciali i fuqisë punëtore të zhvillohet në Kosovë’, tha Muharremaj.