Bizneset mund të përfitojnë nga përfshirja e klauzolës së arbitrazhit në kontrata

Prishtinë, 18 dhjetor 2020 – Arbitrazhi kundrejt juridiksionit të gjykatave mbi pasuritë u diskutua në eventin përmbyllës të aktivitetit Ditët e Drejtësisë Komerciale: Arbitrazhi në Fokus, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Programi i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Drejtësi Komerciale.

Njomëza Zejnullahu, këshilltare e lartë ligjore në programin e USAID për Drejtësi Komerciale, njëherit edhe moderatore e këtij forumi, theksoi se një maratonë e tryezave dhe diskutimeve me fokus në procesin e  arbitrazhit janë organizuar në kuadër të ditëve të drejtësisë komerciale,  me qëllim në vetëdijësimin e bizneseve dhe publikut të gjerë në mundësitë që ofron arbitrazhi si metodë alternative për zgjidhjen e kontesteve, duke dhënë sa më shumë informacione dhe duke shpresuar që të rritet përfshirja e klauzolave të arbitrazhit në kontratat e bizneseve.

Avokatja Erblina Krasniqi Prishtina, theksoi se arbitrazhi është mundësi shumë e mirë alternative për zgjidhjen e kontesteve jashtë gjykatave të rregullta, ku tha se i njëjti u kursen kohë bizneseve dhe u mundëson trajtimin e çështjeve nga një tribunal i profesionistëve të fushave përkatëse të cilin vetë ata mund ta zgjedhin. Ajo theksoi se bizneset jo rrallë herë tentojnë që problematikat e tyre të mos i zgjedhin përmes gjykatave, por duke shfrytëzuar mundesi të tjera ligjore të cilat ofrohen në ekzekutimin e kontratave të tyre, derisa sa i përket kontratave të qirasë përmendi se përdorin përmbarimin privat me klauzolën e ekzekutueshmërisë. Tutje, Krasniqi Prishtina theksoi se në Kosovë, bizneset e huaja zakonisht janë shumë të interesuara ta përfshijnë klauzolën e arbitrazhit në kontrata, megjithatë hezitojnë që të njëjtin ta kontraktojnë në Kosovë.

Avokati Taulant Hodaj vlerësoi se nuk ekziston një legjislacion domosdoshmërisht i qartë i cili kërkon që gjykatat vendore të kenë juridiksion lëndor ekskluziv në raport me kontratat e qirasë dhe pasurisë. Ai theksoi se në Ligjin për Arbitrazhin thuhet se arbitrazhi mund të trajtojë çdo raport civilo-juridik dhe ekonomik, dhe në këtë aspekt raporti civilo-juridik mund të interpretohet edhe në çështjet që kanë të bëjnë me kontestet e pasurisë, pengim posedimin, si dhe kontratat e qirasë. Megjithatë, sipas tij, është mirë të specifikohen kontestet pronësore apo marrëdhëniet e qirasë në legjislacion, duke u qartësuar kompetencat e gjykatës për zgjidhjen e rasteve të tilla. Ai theksoi se tek klientën ndërkombëtarë zakonisht përfshirja e klauzolës së arbitrazhit në kontrata është kërkesë paraprake, derisa ekziston një hezitim më i madh tek klientët vendorë, të cilët shpesh ka insistuar të i bind bizneset se përfshirja e kësaj klauzole është në dobi të tyre.