Suharekë, 21 shkurt 2019 – Qendra e Biznesit Suharekë në saje të aktiviteteve për adresimin e çështjeve të cilat afektojnë komunitetin e biznesit, organizoi tryezë me Kryetarin e Komunës së Suharekës dhe Drejtorin Ekzekutiv të Odës Amerikane.
Pronari i Vllesa-Co, Gani Sallauka, në fjalën e tij hyrëse theksoi nevojën e organizimit më të shpeshtë të tryezave të përbashkëta në mes të sektorit privat dhe atij publik si një mjet komunikimi i cili mundëson për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme në mënyrë të qëndrueshme. Duke falënderuar Odën
Ekonomike Amerikane në Kosovë për angazhimin e saj në trajtimin e çështjeve të cilat afektojnë sektorin privat, Sallauka theksoi se duhet të jenë vetë institucionet qeverisëse ato të cilat duhet të marrin parasysh krijimin e një klime të favorshme për operime të biznesit e në veçanti stimulimin e tyre për zhvillim të mëtutjeshëm.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, vlerësoi përkushtimin e komunitetit të biznesit në këtë zonë, duke theksuar se përfshirja e sektorit privat në zgjidhjen e çështjeve të cilat afektojnë shoqërinë në përgjithësi, ka filluar nga organizimi i ngjarjeve të ndryshme dhe ka vazhduar në iniciativat për pastrimin e qytetit si dhe ndihmat e ndryshme për qytetarët. Ai përmendi se Komuna e Suharekës mbetet e përkushtuar në ndarjen e fondeve të parapara me buxhetin e Republikës së Kosovës dhe ato vetanake për stimulim të aktiviteteve biznesore. Ndër të tjera, Muharremaj theksoi rëndësinë e angazhimit të Komunës në adresimin e hendekut të aftësive e cila ekspozon shoqërinë në tërësi ndaj normave në rritje të emigracionit, dhe cenon prospektet e zhvillimit.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se mospërputhjet e profileve të kandidatëve punëmarrës me kërkesat e tregut të punës paraqesin një problem i cili është evidentuar në vitin 2017 në një studim të Odës Amerikane titulluar “Analiza e Boshllëkut të Aftësive” dhe ka shfaqur sektorin e
prodhimit si më të afektuarin ndaj këtij boshllëku, ndjekur nga sektori i tregtisë dhe shërbimeve. Zeka theksoi se ndërhyrja në sistemin arsimor për adresimin e këtij problemi është e domosdoshme, megjithatë, konsideron se kjo problematikë, nuk duhet të trajtohet si e izoluar. Në anën tjetër, ai tha se sektori privat ballafaqohet me vështirësi të shumta të cilat rrjedhin nga niveli qeverisës e të cilat do të duhej të adresoheshin përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse në dialog, përkatësisht të sektorit publik, privat dhe të akademisë.
Pronari i Frutex, Shaqir Palushi, tha se duke marrë parasysh se viti 2019 është shpallur nga Qeveria si viti i ekonomisë, potencoi nevojën e pjesëmarrjes aktive të sektorit privat gjatë hartimit të politikave. Palushi tha se përveç nevojës për adresimin e boshllëkut të aftësive, është koha e duhur që të lobohet për hartimin e Ligjit për Tregti të Brendshme, i cili do të zgjidhte shumë nga problemet me të cilat
bizneset ndër vite ballafaqohen, dhe do të mundësonte fuqizimin e bizneseve vendore krahas atyre të huaja e që do të rezultonte dhe në rritje të konkurrencës së industrisë vendore në përgjithësi.
Gjatë sesionit të diskutimeve, bizneset patën mundësinë të parashtronin kërkesat e tyre specifike për përmirësime në nivelin lokal si dhe të kërkonin adresimin e çështjeve të cilat ndërlidhen me nivelin qeverisës dhe systemin arsimor, përfshirë problemet e paraqituara tek Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës.