Brendimi i mirëfilltë i kompanive ndihmon në rekrutimin e talenteve të duhur

Prishtinë, 26 janar 2021 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka filluar implementimin e aktivitetit E Marta e Trajnimeve, në kuadër të të cilit, çdo dy muaj do të organizohen sesione trajnimi rreth temave të ndryshme relevante për komunitetin e biznesit në vend. Gjatë sesionit të  parë, Dalina Gjicali, drejtoreshë menaxhuese në EPPC Shqipëri dhe Kosovë trajnoi pjesëmarrësit në rekrutim dhe menaxhim të stafit në botën virtuale.

Duke krahasuar trendet e krijuara si rrjedhojë e pandemisë COVID-19, Gjicali theksoi rëndësinë e departamentit të Burimeve Njerëzore sa i përket mbarëvajtjes së proceseve të punës brenda kompanisë, në veçanti rekrutimin. Këtu, ajo cilësoi si sfidë pa-aftësinë për të vlerësuar plotësisht kandidatin, gjuhën e trupit dhe reagimet ndaj metodave tradicionale të rekrutimit gjatë intervistimit në mënyrë virtuale, ndërsa shtoi se edhe menaxhimi i stafit nga distanca, po përbën një sfidë për kompanitë.

Gjicali rëndësi të veçantë i dha edhe brendimit për të krijuar imazhin e duhur si punëdhënës ideal, si dhe pro-aktivitetit në marketing, duke shtuar se kapitali njerëzor dhe prezenca digjitale vendosin standardin dhe pritshmëritë e rekrutëve për kompaninë.  Ajo rekomandoi krijimin dhe fuqizimin e kësaj prezence në platformat më të përdorura nga rinia duke shtuar se të njëjtat duhet të përshtaten sipas trendëve të rrjetit social meqenëse ato krijojnë një urë-lidhëse mes punëdhënësit dhe talentëve të nevojshëm për kompaninë.

Sipas Gjicalit, si rrjedhojë e nevojës për distancë sociale, kompanitë duhet të hartojnë dhe implementojnë politika për të mundësuar punën nga shtëpia e cila tashmë jo vetëm që është bërë realitet për shumë kompani, por edhe kërkesë e krahut të punës në kuadër të fleksibilitetit në orar.

Gjatë këtij trajnimi, përfaqësues të Burimeve Njerëzore të kompanive anëtare të Odës Amerikane, shkëmbyen proceset dhe politikat e tyre për rekrutim dhe menaxhim nga distanca, në përpjekje për të siguruar vazhdimësinë e kompanisë edhe përgjatë sfidave që solli pandemia COVID-19.