Prishtinë, 21 shtator 2017- Shfrytëzimi i mekanizmave për raportimin e korrupsionit nga ana e bizneseve është mënyra e vetme që të mundësohet një luftim i mirëfilltë i këtij fenomeni në Kosovë në të gjitha nivelet. Bizneset në Komunën e Graçanicës ndanë këtë mendim gjatë punëtorisë mbi luftimin e korrupsionit dhe rolin e etikës në biznes, organizuar nga Oda Amerikane në kuadër të projektit “Luftimi i Korrupsionit dhe Etika në Biznes”, i mbështetur nga Programi i UNDP për Përkrahje të Përpjekjeve për Luftimin e Korrupsionit në Kosovë.
Gjatë kësaj punëtorie u diskutua mbi punën dhe rezultatet e deritanishme të mekanizmave ekzistues në luftimin e korrupsionit, si dhe mbi situatën aktuale në disa sektorë ku tradicionalisht prania e korrupsionit thuhet të jetë më e lartë, siç është rasti në fushën e prokurimit publik. Bizneset u njoftuan nga afër me procedurat për denoncimin e rasteve të korrupsionit, si dhe ndanë përvojat e tyre të deritanishme në hasjen e këtij fenomeni në nivel lokal dhe qendror.
Punëtori të ngjashme do të organizohen nga Oda Amerikane edhe në komuna tjera të Kosovës në kuadër të këtij projekti, me synimin që të krijohet një dinamizëm i ri për luftimin e korrupsionit në Kosovë.