Prishtinë – 7 mars, 2023 – Avancimi i teknologjisë informative dhe përdorimi i internetit janë në rritje çdo ditë e më shumë, dhe si rrjedhojë cenimet ndaj sigurisë kibernetike, privatësisë dhe të dhënave personale janë kërcënim me të cilin ballafaqohen të gjithë. Rreth kësaj teme, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me Kolegjin AAB dhe kompaninë Gold n’Links organizoi një seminar informues për rritjen e vetëdijesimit dhe qasjes proaktive ndaj këtyre rreziqeve.
Roi Shaposhnik, kryeshef ekzekutiv i kompanisë Gold n’Links dhe ekspert i kibernetikës, gjatë këtij seminari theksoi fillimisht se teknologjia që përdorim çdo ditë sado e domosdoshme, përbën edhe një rrezik të madh për të gjithë përdoruesit. Ai potencoi edhe ekzistencën e metodave të ndryshme që mund të përdoren për sulme kibernetike, të cilat janë aktive gjatë gjithë kohës dhe mund të infiltrojnë të dhëna personale përmes vegëzave, aplikacioneve e reklamave që mund të hasen gjatë lundrimit në internet apo rrjete sociale.
Sipas Shaposhnik, ka lloje të ndryshme të rreziqeve kibernetike, të shtyra nga motive të ndryshme, qoftë aspekti financiar, sabotazhi, spiunazhi apo propaganda. Ai mori si shembull disa kompani globale të cilat janë ballafaquar me këto sulme dhe ndau me pjesëmarrësit statistika dhe shifra të dëmeve financiare të shkaktuara. Sipas tij, impakti global i krimeve kibernetike vetëm gjatë vitit 2022 ka arritur vlerën 6.5 trilionë dollarë, derisa shtoi se pre e këtyre krimeve përveç institucioneve dhe bizneseve janë shpeshherë edhe institucionet shtetërore. Gjatë një demonstrimi të vjedhjes së të dhënave përmes sulmeve kibernetike, ai theksoi rëndësinë e investimit në sigurinë e të dhënave dhe ruajtjes së privatësisë si për kompani dhe biznese, por edhe për individë.
Eksperti i kibernetikës rëndësi të veçantë i dha edhe nevojës për instalimin e aplikacioneve të sigurta që shërbejnë për të minimizuar rrezikun ndaj këtyre sulmeve në të gjitha pajisjet elektronike të përdoruesit, ndërsa nënvizoi se qasja proaktive ndaj kësaj çështje, dhe vetëdijesimi ndaj përdorimit të internetit dhe rreziqeve që i njëjti përmban duhet të rriten në nivel global.