COVID19 ka afektuar edhe drejtësinë komerciale duke kufizuar punën e gjykatave

Prishtinë, 29 prill 2020 – Përveç kufizimit në aktivitetet e ndërmarrjeve, pandemia COVID19, ka ndikuar edhe në proceset gjyqësore. Për të diskutuar lidhur me punën e gjykatave përgjatë situatës në të cilën ndodhet Kosova pas shpërthimit të pandemisë COVID19, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në partneritet me Programin e Aktivitetit të Drejtësisë Komerciale të USAID kanë organizuar një forum virtual me panelistët Bajram Miftari, Gjyqtar dhe Udhëheqës i Departamentit për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Krenar Berisha, Gjyqtar dhe Udhëheqës i Departamentit Fiskal në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Bajram Miftari nga Departamenti për Çështje Ekonomike u shpreh se që nga konfirmimi i rastit të parë të infektuar me virusin COVID19 Këshilli Gjyqësor mori vendim për të reduktuar të gjitha aktivitetet gjyqësore. Pas marrjes se vendimit dhe njoftimit të bizneseve për këtë vendim  është diskutuar për modalitetet e implementimit e tij dhe si rrjedhojë u vendos që seancat dëgjimore të shtyhen dhe të punohet me kapacitete të reduktuara duke u fokusuar kështu në çështjet të cilat mund të përfundohen pa kontakt fizik me palë. Miftari gjithashtu tha se gjykatat dhe administrata kanë vazhduar të ofrojnë shërbimet e tyre ndaj bizneseve duke i rishikuar lëndët, duke shtuar se megjithatë për shkak të pandemisë gjatë muajit mars janë lëshuar vetëm 30 aktgjykime që është numër i vogël krahasuar me muajt para pandemisë por prioritet kanë rastet e natyrës urgjente si ato penale, çështjet e paraburgimit dhe dhuna në familje. Miftari diskutoi për idenë e aplikimit të platformave nga distanca për zgjedhjen e kontesteve komerciale, e sidomos atyre që trajtohen përmes metodave alternative, siç është rasti me ndërmjetësimin. Krejt në fund, Gjyqtari Bajram Miftari tha se shtyrja e afatit të pritjes për seance dëgjimore  ka ndikim të madh tek bizneset dhe  se një rast gjyqësor është vital për të ardhmen e tyre  dhe gjithashtu siguroi se pas përfundimit të kësaj gjendje, seancat do të caktohen me radhë ashtu siç kanë qenë para pandemisë.

Krenar Berisha nga Departamenti Fiskal tha se pavarësisht rrethanave ku ndodhemi, Gjykata ka pranuar paditë, kërkesat dhe kundërshtimet ndaj vendimeve administrative të cilat janë regjistruar dhe procesuar në mënyrë të rregullt duke shtuar se deri më tani nuk kanë pasur ulje të lëndëve por kjo mund te ndodhe disa muaj më vonë pas përfundimit të mundshëm të pandemisë.

Berisha gjithashtu foli edhe për metodat alternative të zgjidhjes së kontesteve por ato nuk mund të implementohen lehtazi për shkak se ky departament shqyrton ligjshmërinë e akteve administrative të nxjerra nga institucionet e administratës publike.  Berisha tha se sa i përket ndryshimeve specifike të sjella nga rrethanat gjyqtarët kryesisht janë ballafaquar me masa të sigurisë të cilat i kanë propozuar bizneset. Deri më tani pandemia nuk ka shkaktuar dëme të mëdha tek gjyqësori, saktësisht këto departamente, por, dëmet potenciale mund te vërehen në të ardhmen.