Definimi i qëllimit afatgjatë vital në suksesin e ndërmarrësve të rinj

Prishtinë, 13 nëntor 2021 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me kolegjin AAB, organizuan forumin e radhës me Ylber Kurajën, një ndër menaxherët më të suksesshëm në Kosovë, moderuar nga Arianit Fazliu nga kompania Kutia.

Arian Zeka, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë në fjalimin e tij hyrës u shpreh se ky forum synon që të u mundësojë të rinjve të dëgjojnë storie sukesi, ku në të ardhmen t’i zbatojnë këshillat dhe t’i shmangen gabimeve që kanë bërë secili për të arritur tek suksesi.

Ylber Kuraja përmendi fillet e karrierës së tij i kishte në dyqan dhe si një i ri që nuk kishte kapital. Sipas tij, sot ekzistojnë mënyra më të lehta për të arritur suksesin dhe duhet punë e mençur, por edhe punë e madhe, kur bëhet fjalë për arritje më të mëdha, sepse sipas tij, rezultatet nuk vijnë dhe lehtë.

Kuraja tha se vetëkënaqësia mund të jetë pengesë për arritje ende më të mëdha duke dalur kështu nga zona e komfortit. Menaxheri i suksesshëm është ai që është i gatshëm të dhurojë më shumë se që merr, e më vonë kjo sakrificë do të shpërblehet”, theksoi ai.

Tutje, ai rekomandoi që të rinjtë të kenë përgatitje dhe të lexojnë më shumë, si dhe shtoi se literatura duhet të fokusohet nga perëndimi dhe nga e ardhmja, dhe jo literaturë me modele të vjetra sepse shumë nga fushat e përfshira në këto literatura duhen të largohen nga kurrikulat mësimore.

Sipas tij, nuk ekziston menaxher ideal, e rëndësishme është disiplina dhe njohja dhe tregut gjithashtu. Ai shtoi që puna në skuadër është vitale për suksesin e ndërmarrësve.