Prishtinë, 9 maj, 2018 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë sot organizoi një sërë aktivitetesh në pritjen e një delegacioni nga shteti amerikan Iowa që po qëndron në Kosovë për vizitë. Fillimisht, në zyret e Odës Amerikane u organizua një mëngjes me Ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ku përfaqësuesit e shoqatës së bizneseve Greater Des Moines Partnership u njoftuan me zhvillimet dhe planet e Kosovës gjatë këtij viti në fushën e inovacionit.
Ministri Beqaj falenderoi përfaqësuesit e delegacionit në përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe institucioneve të saj dhe u diskutua më tej që ky partneritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim. Delegacioni në vijim vizitoi kompanitë anëtare të Odës Amerikane, Birra Peja, ku u njoftuan nga afër me proceset e përpunimit të birrës, parkun e biznesit në Drenas ku delegacioni u prit nga kompania SCAMPA, dhe kompaninë e barnave, Trepharm, ku u prezantua procesi i prodhimit të barnave, e ndjekur nga një vizitë në Emerald Hotel.
Organizimi i një pritje nga kompania KIVO ishte përmbyllja e aktiviteteve gjatë të cilave delegacioni nga Iowa u njoftua me shërbimet e kompanive kosovare si dhe mundësi të bashkëpunimit në të ardhmen.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë synon të vazhdojë partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Iowas, partneritet i filluar tashmë pesë vite më parë.