Prishtinë, 30 qershor, 2022 – Digjitalizimi i shërbimeve për tatimpagues është një hap i rëndësishëm drejt një sistemi tatimor më të shpejt dhe më të sigurt. Për të diskutuar të arriturat e deritanishme të Administratës Tatimore të Kosovës në digjitalizimin, automatizimin dhe përmirësimin e shërbimeve të tatimpaguesve, si dhe hapat e ardhshëm në agjendën e digjitalizimit të ATK-së, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Programin e USAID për Qeverisje Ekonomike në Kosovë organizoi ngjarjen ‘Digjitalizimi i Administratës Tatimore të Kosovës – Diskutim më Drejtorin e Përgjithshëm të ATK-së’.
Ilir Murtezaj, Drejtor i Përgjithshëm i ATK-së, tha se digjitalizimi i Administratës Tatimore ka filluar që nga viti 2011 me funksionalizimin e Sistemit Elektronik të Deklarimit EDI, kur ATK ka adresuar nevojën që të përmirësojë shërbimet ndaj bizneseve në atë mënyrë që proceset e deklarimit dhe të pagesës së tatimit të jenë më të lehta dhe më të shpejta. Ai shtoi se sistemi i deklarimit dhe pagesave të tatimit online jo vetëm që ka lehtësuar punën për bizneset, por edhe ka rritur sigurinë në deklarim, ku mundësia për gabime është shumë e vogël.
Melita Ymeraga, nga Melita & Partners, tha se kur zhvillohen sisteme të reja, në fokus duhet gjithmonë të jenë bizneset dhe vendimmarrja të bazohet në informata në mënyrë që të përmbushen obligimet tatimore. Tutje, ajo theksoi se është e rëndësishme që në mënyrë të vazhdueshme të edukohen tatimpaguesit dhe bizneset rreth mënyrave më efikase të kryerjes së obligimeve tatimore.
Yll Zagragja, nga Zagragja & Associates, foli për lehtësimin e kryerjes së obligimeve tatimore ndaj ATK-së qëkur është krijuar sistemi elektronik i deklarimit dhe pagesave, duke theksuar ndër tjera se falë këtij sistemi bizneset duke mos pasur nevojë të takohen fizikisht me zyrtarë të ATK-së kursejnë shumë kohë.
Nora Kokaj, Udhëheqëse e Objektivës për Menaxhimin e Financave Publike në Programin e USAID-it për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, tha se digjitalizimi i shërbimeve për tatimpagues nuk është zhvilluar brenda një kohe të shkurtër, por ka qenë një proces i vazhdueshëm shumëvjeçar që ka krijuar një sistem të konsoliduar të ofrimit të këtyre shërbimeve. Digjitalizimi i shërbimeve për tatimpagues ndihmon në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, si dhe menaxhimin më të mirë të financave publike.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se përfitimet më të mëdha të sistemit elektronik të deklarimit dhe të pagesave janë rritja e efikasitetit, ulja e kostos së operimit dhe reduktimi i pikave të transkasionit, që rrjedhimisht zvogëlojnë edhe mundësinë e përfshirjes në aktivitete të paligjshme.