Diskutohet roli i Kuvendit në avancimin e legjislacionit që lehtëson të bërit biznes

Prishtinë, 7 shkurt 2022 – Kuvendi i Republikës së Kosovës përmes deputetëve dhe komisioneve të tij parlamentare mund të avancojë cilësinë e përmbajtjes së legjislacionit të Republikës së Kosovës, përmes ndërmarrjes së nismave të reja ligjore apo projektligjeve të proceduara nga ekzekutivi, derisa komentet e organizatave të biznesit apo sektorit privat drejtëpërsëdrejti janë të mirëseardhura në këtë aspekt.

Kjo u tha gjatë një diskutimi të anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti me anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku u diskutua për shqetësimet e përfaqësuesve të sektorit privat lidhur me mjedisin e të bërit biznes, por edhe rekomandimet e tyre për tejkalimin e të njëjtave.

Kryesuesi i Komisionit Parlamentar për Ekonomi Ferat Shala paraqiti një përmbledhje të punës së Komisionit, si dhe planit vijues legjislativ dhe u zotua në angazhimin e përmirësimit të mëtejshëm në lehtësinë e të bërit biznes, gjë që do të forcojë sektorin privat dhe do ta bëjë Kosovën më tërheqëse në sytë e investitorëve vendor dhe atyre të huaj. Shala theksoi se si deputet dhe Komision Parlamentar kanë qenë të hapur dhe bashkëpunues me Odën Amerikane, dhe se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Jeta Statovci, deputete dhe zëvendëskryesuese tha se ky Komision po punon me përkushtim të madh që të krijohet një ambient sa më miqësor për bizneset vendore dhe tërheqjes së investitorëve ndërkombëtarë, të cilët do të kontribuonin drejtpërdrejt në ngritje të zhvillimit socio-ekonomik në vend. Statovci diskutoi edhe për zhvillimin dhe forcimin e sektorit privat në Kosovë, duke shpalosur kështu punën e deritanishme legjislative dhe hapat që do t’i ndërmarrim në të ardhmen me qëllim që në Kosovë aktiviteti i të bërit biznes të lehtësohet edhe me shumë.

Mimoza Kusari-Lila, deputete dhe anëtare e këtij Komisioni foli për projektligjin për kriptovalutat, duke bërë thirrje kështu për sugjerime dhe duke ofruar bashkëpunim në draftimin e këtij projektligji. Kusari-Lila theksoi në veçanti situatën energjetike dhe subvencionimin e qeverisë si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë në vend.

Driton Hyseni, deputet dhe anëtarë i këtij Komisioni u shpreh se fokus të veçantë në strategjinë e energjisë në vendin tonë zë çështja e liberalizimit të tregut, meqë ende nuk është përcaktuar ndonjë afat kohor për një gjë të tillë.

Pjesëmarrësit nga sektori privat përmendën mundësinë e kalimit të një ligji të veçantë për humbjen e mallrave, ligji për prodhuesit farmaceutik dhe ligji për investimet dhe fondet investiv.