Diversifikimi i energjisë nënkupton edhe diversifikim të fuqisë punëtore

Prishtinë, 10 qershor, 2022 – Për të diskutuar rolin e sektorit privat në tranzicionin e energjisë, përkatësisht në diversifikimin e burimeve të energjisë, si dhe në diversifikimin e fuqisë punëtore, Oda Amerikane organizoi një diskutim në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë, me folës nga dy komitetet e Odës Amerikane, Komiteti për Energji dhe Miniera, si dhe me Komitetin e Grave në Energji dhe Miniera.

Sabri Tërrnava, Drejtor për Konsumatorin në KEDS, tha se është e rëndësishme që kompanitë si KEDS dhe KESCO të zhvillojë projektet në atë mënyrë që të inkurajojnë gratë dhe vajzat të kyçen edhe në aspektet teknike të projektit.  Ai shtoi se KEDS Academy ka shërbyer si mënyrë shumë e mirë për inkuadrimin e vajzave të reja në këtë sektor.

Gentiana Alija, Drejtoreshë, Alfa Solar dhe bashkëthemeluese e komitetit Gratë në Energji dhe Miniera tha se edhe pse pjesëmarrja e grave në industrinë e energjisë vazhdon te rritet, numri i grave të kyçura ne pjesën teknike të projekteve është ende i vogël. Ajo shtoi se për ngritjet e kapaciteteve të kësaj fushe trajnimet janë shumë të rëndësishme, e veçanërisht për inkuadrimin e grave në këtë sektor.

Edona Demaj, Drejtoreshë, EKO KOS dhe bashkëthemeluese e komitetit Gratë në Energji dhe Miniera tha se prania e grave në kompani është e rëndësishme pasi ato sjellin një perspektivë dhe set aftësish të ndryshme që mund të jenë tejet të dobishme për kompaninë.

Guri Shkodra, Menaxher i Projektit në SOWI Kosovo tha se një prej sfidave më të mëdha të së ardhmes do të jetë furnizimi me energji dhe një tranzicion i tillë do të kërkojë angazhimin e të gjithëve, duke përfshirë këtu edhe gratë. Prandaj, është e rëndësishme që vajzat të inkurajohen të zgjedhin profesion në sektorin e energjisë sa më herët.

Zana Bajrami Rama, Menaxhere në KOSTT dhe bashkëthemeluese e komitetit Gratë në Energji dhe Miniera, tha se duke qenë se tranzicioni i energjisë elektrike kërkon kapacitetet të reja njerëzore dhe ekspertizë të fushës së burimeve njerëzore, kjo periudhë mund të shërbejë si periudhë për të adresuar çështjet e barazisë gjinore. Ajo shtoi se është e rëndësishme që të gjitha grupet e shoqërisë të përfitojnë në mënyrë të barabartë nga ky tranzicion.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se mentaliteti është çështja kryesore që kontribuon në hendekun gjinor dhe kërkon përpjekje të mëdha për t’u adresuar dhe vite durim për ndryshim. Ai shtoi se ky mentalitet mund të luftohet duke amplifikuar përvojat dhe arritjet e grave në sektorin e energjisë, në mënyrë që të shërbejnë si burim frymëzimi  për vajzat e reja.