Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Departamentin e Shtetit Amerikan takoi Odën Amerikane

Prishtinë, 14 dhjetor 2023 — Një delegacion i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë u takua me Colleen Hyland, Drejtoreshë e Zyrës së Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit Amerikan, për të diskutuar aspektet kryesore të mjedisit ekonomik të Kosovës.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Odës Amerikane shprehën shqetësimet e tyre lidhur me angazhimin me sektorin publik në fushën e politikave ekonomike dhe prospekteve të tërheqjes së investimeve. Veçanërisht, ata ritheksuan urgjencën e heqjes së ndalimit të importit të produkteve finale nga Serbia, duke përmendur ndikimin negativ në brendet amerikane dhe të tjera ndërkombëtare që operojnë në Kosovë. Ata gjithashtu shprehën shqetësimet lidhur me ndikimin negativ që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë në operacionet e tyre afariste.

Drejtoresha Hyland mirëkuptoi qëndrimin e Odës Amerikane, duke theksuar efektet e dëmshme të ndalimit të importit si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Lidhur me çështjen e prospekteve të tërheqjes së investimeve, ajo rekomandoi që Kosova të ndërmarrë masa proaktive për të përmirësuar brendin e saj ndërkombëtarisht. Drejtoresha Colleen Hyland theksoi rolin e rëndësishëm të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se kjo do të kontribuonte dukshëm në krijimin e një mjedisi të favorshëm për rritje ekonomike.

Për më tepër, ajo nënvizoi rëndësinë e fokusimit strategjik të Kosovës në fushat që lehtësojnë avancimin e vendit. Në këtë kontekst, Hyland inkurajoi Kosovën që t’u japë përparësi nismave që nxisin bashkëpunimin dhe forcojnë pozitën e saj ndërkombëtare.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbetet e përkushtuar për të nxitur një dialog konstruktiv me palët kryesore të interesit për të adresuar sfidat dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në rajon.