E ardhmja e Kosovës varet nga aftësimi dhe investimi në fuqinë punëtore

Prishtinë, 16 maj 2023, – Ndër asetet kryesore që ka Kosova është popullsia e re, dhe potenciali që ofron në të gjithë sektorët. Gjatë ngjarjes të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, përfundimet kryesore nga një panel dinjitoz dhe i shquar theksuan nevojën për investime intensive në fuqinë punëtore dhe aftësimin e mirëfilltë të tregut të punës.

Jeta Statovci, Deputete në Kuvendin e Kosovës tha se kërcënimi më i madh ndaj tregut të punës nuk vjen nga avancimi i teknologjisë, por nga ngadalësimi i rritjes ekonomike, rritja e çmimeve dhe fuqia më e ulët blerëse e konsumatorëve. Deputetja po ashtu përmendi si sfidë kryesore edhe normat e larta të inflacionit të cilat po luftohen në nivel global përmes ngritjes së interesit të kredive duke shtuar se një gjë e tillë mund të jetë shumë më efektive në ekonomitë më të zhvilluara. Statovci tutje ndau edhe disa statistika të nxjerra nga raporti i Bankës Botërore, ku thuhet se sektori i prodhimit dhe ai i shërbimeve në vitin 2022 është përballur me një mungesë të fuqisë punëtore. Tutje Statovci shtoi se pritet që në pesë vitet e ardhshme, në nivel global rreth 83 milionë vende pune të zhduken ndërsa do të krijohen 69 milion vende të reja, dhe se punëdhënësit e të gjitha industrive duhet të jenë të përgatitur për t’u përballur me këtë ndryshim. Deputetja theksoi edhe disa nga masat e marra nga Qeveria për të mbështetur fuqinë punëtore, ku theks të veçantë i dha platformave të reja të punësimit dhe subvencionimit të pagave, mbështetje për trajnim të stafit, marketing dhe brendim të kompanive, si dhe subvencione për punësimin e grave.

Nga Keiretsu Form Ardian Hoxha, njëherit edhe moderues i ngjarjes tha se me ndryshimet që po ndodhin tani, duhet të implementohet një qasje më proaktive për t’u përballur me kërkesat e tregut por edhe fuqisë punëtore. Tutje ai tha se liberalizimi i vizave do të ekspozojë rininë e vendit ndaj kulturave të ndryshme të punës që do të shërbejë në ndryshimin e qasjes së të rinjëve. Sipas tij, është e rëndësishme që gjatë shkollimit të punohet në shkathtësimin e rinisë në përshtatje me nevojat e tregut por edhe të krijohen mundësi për punë vullnetare. Hoxha shtoi se një gjë e tillë jo vetëm që do të forcoj fuqinë punëtore, por do të ketë ndikim pozitiv edhe në ekonominë e vendit.

Kryeshefi ekzekutiv i Meridian Express Agon Gashi duke iu referuar raportit ‘’The Future of Jobs” të publikuar nga Banka Botërore theksoi se trendet në rritje fokusohen edhe rreth avancimit të inteligjencës artificiale për të cilën shtoi se ekziston një mendimësi se e njëjta po e rrezikon tregun e punës. Sipas tij, një përqindje e madhe e kompanive raportojnë se ky avancim teknologjik do të ketë efektin e kundërt. Tutje, Gashi shtoi se ajo që pritet dhe se duhet të ndodhë brenda viteve të ardhshme është riaftësimi dhe zhvillimi i fuqisë punëtore në hap me trendet globale duke theksuar se një pjesë e popullsisë, kryesisht gjinia femërore, e një grupmoshe më të vjetër duhet të jetë në fokus të Qeverisë për aftësim dhe integrim në punë. Sipas Gashit, gjenerata e re është më e fokusuar në sektorin e teknologjisë ku edhe po ndodh një avancim i madh, shtoi se në sektorin e shërbimeve do të ketë pasoja negative nëse nuk ndërmerren hapat e duhur. Ndërsa rreth vendit, ai tha se Kosova duhet të jetë në hap me zhvillimin teknologjik dhe automatizimin e proceseve të punës, me theks të veçantë në sektorin privat. Kryeshefi ekzekutiv theksoi se me liberalizimin e vizave, duhet të merret parasysh edhe dalja e kapitalit nga vendi. Sipas tij, migrimi që pritet të ndodhë, do të ketë ndikime të mëdha në fuqinë blerëse.

Nga Proex, Ylber Kuraja u shpreh se automatizimi i proceseve ka lehtësuar shumë veprimtari ndërsa duke u ndërlidhur me ndryshimet e së ardhmes, shtoi se sipas studimeve të fundit, deri në vitin 2030 pritet të ketë një frymë të re të kapitalizmit që do të karakterizohet me një qasje të re ndaj punës. Sipas tij, fuqia punëtore e kësaj të ardhme do të jetë shumë më specifike ndaj punës që kryen dhe do të jetë më e lirë sa i përket vendimmarrjes. Kuraja po ashtu shtoi se jetëgjatësia e popullatës dhe kultura e re e jetesës gjithashtu do të krijojë nevojën për më shumë vende pune për të mbështetur këtë të fundit. Sa i përket avancimit të inteligjencës artificiale, Kuraja tha se kjo nuk është diçka që duhet t’i qasemi me frikë, por duhet të jemi të gatshëm për të qenë në hap me të, dhe të implementohen ndryshimet që do të sjellë.

Ndërsa nga kompania Talent Network Kosova Burim Zogaj ndau me pjesëmarrësit përvojat e kompanisë që ai drejton me rekrutimin e stafit. Ai theksoi se përgjatë viteve të fundit, trendet në aspektin e shkollimit kanë prodhuar një numër të madh të diplomuarish për të cilët nuk ka kërkesë në treg. Sipas tij, kjo e vështirëson përmbushjen e kërkesave të tregut, si dhe mbarëvajtjen e veprimtarive të kompanive. Sipas tij, shteti duhet të jetë i fokusuar në identifikimin e sektorëve më me potencial për të orientuar fuqinë punëtore.