Prishtinë, 18 nëntor, 2019 – Nën udhëheqjen e Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK) dhe në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka filluar Java Globale e Ndërmarrësisë në Kosovë, gjatë së cilës në 180 shtete të botës organizohen aktivitete të ndryshme me qëllim të promovimit të ndërmarrësisë dhe inkurajimit të aktiviteteve ndërmarrëse.
Në eventin e hapjes të kësaj jave, drejtori ekzekutiv i Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK), Uranik Begu, tha se për 7 vitet e fundit është bërë kulturë që komunitetet e ndërmarrësisë, duke përfshirë këtu të gjithë partnerët, donatorët, qeverinë, organizatat, dhe bizneset startup të bashkohen gjatë Javës Globale të Ndërmarrësisë me qëllim që ta avancojnë ndërmarrësinë si një rrugë për krijimin e vendeve të reja të punës. Tutje, ai shtoi se këtë vit rreth 60 organizata janë bashkuar për të njëjtin mision fisnik, promovimin e ndërmarrësisë dhe nxitjen e ndërmarrësve të rinjë që të kenë guxim dhe kurajo t’i shndërrojnë ëndërrat e tyre në realitet, pavarësisht barrierave me të cilat mund të ballafaqohen. Begu tha se këtë vit do të organizohen mbi 80 aktivitete për shënimin e kësaj jave, duke e theksuar faktin se përhapja e vetëdijes ndërmarrëse çdo vit e më shumë po arrin në të gjitha rajonet e Kosovës, për dallim nga vitet e para ku aktivitetet kanë qenë kryesisht të fokusuara në Prishtinë.
Nënkryetarja e misionit nga ambasada Suedeze në Kosovë, Nasrin Pourghazian, është shprehur se ndjehet e lumtur për përfshirjen e edukimit si mjet për promovimin e ndërmarrësisë gjatë kësaj jave. Ajo gjithashtu ka shtuar se duhet të bëhet më shumë në lidhje me krijimin e kushteve më të favorshme për ndërmarrësi në zona më të pazhvilluara të Kosovës, si dhe për rritjen e përfshirjes së grave në ndërmarrësi.
Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, u shpreh se rinia dhe fryma ndërmarrëse është ajo që do ta shtyjë Kosovën përpara. Sipas saj, mbi 60% të BPV në vendin tonë vjen nga shërbimet dhe industritë teknologjike të cilat çdo ditë e më shumë po zhvillohen në Kosovë. Çitaku shtoi se duke e pasur parasysh që ne jetojmë në një botë të ndërvarur, duhet të punojmë së bashku sepse suksesi mund të arrihet vetëm nëse i ndajmë njohuritë, dhe i ndihmojmë njëri-tjetrit.
Drejtori Menaxhues për Ekonomi, Politikë dhe Qeverisje në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Mattia Romani, tha se ndërmarrësia është shumë e rëndësishme për BERZH-in, dhe se si investitorët më të mëdhenj në Kosovë, këtë vit BERZH do të investojë mbi 100 milion euro në vend. Sipas tij, ata janë më së shumti krenarë për bashkëpunimin me bizneset e vogla.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, është shprehur se në një kohë kur një pjesë e madhe e të rinjve nuk shohin perspektivë në vendin tonë, qëllimi kryesor i Odës, si partner disa vjeçarë në organizimin e kësaj jave, është që të ndajë sa më shumë histori të suksesit, dhe me shembuj konkret t’i tregojë rinisë se është e mundur t’ia dalësh edhe në Kosovë. Për më tepër, ai shtoi se Oda Ekonomike Amerikane në bashkëpunim me partnerët e saj, këtë javë do të organizojë 14 aktivitete në rajone të ndryshme të Kosovës.