Fjalimi i Presidentes Osmani në Përvjetorin e 19të të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë

Prishtinë, 24 mars, 2023 – I nderuar Ambasador Hovenier, i nderuar zoti Zeka, i nderuar zoti Gashi, të nderuar ndërmarrës, zonja dhe zotërinj, ju faleminderit për ftesën.

Është kënaqësi e madhe të jesh në një dhomë ku suksesi është një rrëfim i zakonshëm. Secili prej jush përfaqëson një histori suksesi. Një histori e punës së palodhur, qëndrueshmërisë, këmbënguljes dhe vizionit të jashtëzakonshëm dhe motivimit. Ky është një komunitet i ndërmarrësve dhe liderëve të përkushtuar, inovativ dhe ambicioz, të cilët po nxisin rritjen ekonomike në Kosovë. Ne jemi krenarë dhe me të vërtetë vlerësojmë gjithçka që bëni për këtë vend dhe që e bëni ekonominë tonë më të qëndrueshme, produktive dhe më të fortë dita ditës.

Me këtë rast, dua të përgëzoj nga zemra Odën Ekonomike Amerikane për 19 vjet mbështetje të palëkundur dhe përkushtim të pashoq për të ndihmuar ndërmarrësit dhe kompanitë vendase të lulëzojnë. Kontributi juaj ka qenë thelbësor në rritjen dhe forcimin e performancës tregtare dhe ekonomike në vendin tonë, dhe jo vetëm. Përmes angazhimit të palodhshëm, ju çdo vit e keni çuar në lartësi të reja bashkëpunimin ekonomik bilateral ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jam e bindur se më e mira është ende përpara nesh.

Ajo që na bashkon është besimi ynë i përbashkët në potencialin e jashtëzakonshëm të popullit të Kosovës. Ne shohim se sa larg keni arritur të gjithë ju dhe nuk do të harrojmë kurrë se nga ku keni filluar. Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Në biznes, ashtu si në politikë, njeriu përballet me pasiguri të mëdha. Por ka shumë gjasa që kur luftoni për atë që është e drejtë, dhe bëni atë që është e drejtë, suksesi do të jetë rezultati përfundimtar.

Në dekadën e fundit, sipas gjetjeve të Bankës Botërore, Republika jonë e re ka tejkaluar performancën e fqinjëve të saj në përmbushjen e kërkesave të një popullsie në rritje dhe tendencave në rritje të konsumit. Kjo është një dëshmi e vërtetë e dëshirës dhe vendosmërisë së ndërmarrësve tanë për të pasur një ndikim pozitiv në shoqërinë tonë nëpërmjet rritjes së produktivitetit ekonomik dhe social. Të gjithë ju, dhe shumë të tjerë që mund të mos jenë të pranishëm sonte, shihni një mundësi në çdo sfidë. Kjo është veçantia e shpirtit ndërmarrës që sigurisht të gjithë ju zotëroni.

Sot, bizneset tona vendosin standarde të performancës jo vetëm në tregun tonë vendor, por edhe më gjerë. Sa herë që vizitoj, ose takohem me komunitetin tonë të biznesit, frymëzohem vazhdimisht nga historitë e biznesmenëve dhe grave tona në biznes, të cilët po depërtojnë në terrene të reja me kreativitetin, largpamësinë dhe guximin e tyre. Ata janë forca kryesore lëvizëse pas suksesit tonë ekonomik dhe një frymëzim i përditshëm për të gjithë ne.

Por, bizneset tona jo vetëm që po lulëzojnë brenda vendit, por edhe po zgjerojnë aktivitetin e tyre ekonomik në rajon dhe më gjerë. Fuqia jonë e talentuar punëtore ka treguar se jo vetëm që jemi në gjendje të jemi në hap me trendet globale, por gjithashtu po lëmë një gjurmë të rëndësishme në dizajnimin dhe formësimin e avancimeve më të fundit teknologjike.

Si vendi me popullsinë më të re në Evropë, ne jemi me fat që kemi një fuqi punëtore të kualifikuar dhe të aftë, të karakterizuar nga energjia dhe entuziazmi i madh për punë. Kjo është pikërisht arsyeja pse ne po punojmë pa u lodhur për të krijuar mundësi të reja pune me kushte të mira dhe të përshtatshme në mënyrë që ata të përparojnë.

Megjithatë, pavarësisht sukseseve, sfidat vazhdojnë të jenë prezente. Nuk mund të qëndroja këtu dhe të mos flisja për sfidat me të cilat përballen gratë dhe grupet e margjinalizuara në ekonominë tonë, përfshirë normat e larta të papunësisë, aktivitetin e ulët ekonomik dhe hendekun e pagave. Prandaj, ne duhet të këmbëngulim vazhdimisht në miratimin e politikave që promovojnë barazinë gjinore dhe krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë.

Në të vërtetë, në vitet e fundit, Kosova është përballur me disa sfida, duke përfshirë pandeminë COVID-19, normat e larta të inflacionit, dhe është përballur me pasojat e një krize globale energjetike si rezultat i luftës brutale si rrjedhojë e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Megjithatë, vendosmëria e ndërmarrësve tanë dhe fleksibiliteti për t’iu përshtatur ndryshimeve ekstreme kanë qenë të jashtëzakonshme. Këto sfida na kanë mësuar rëndësinë e punës për parandalimin dhe rritjen e qëndrueshmërisë së përgjithshme. Prandaj, është thelbësore që ne të investojmë më shumë në kërkim dhe zhvillim për të lehtësuar tranzicionin e drejtë dhe të barabartë dhe për të hedhur themelet për një mjedis të suksesshëm dhe gjithëpërfshirës të biznesit.

Megjithatë, ne e kuptojmë shumë mirë se një mjedis i frytshëm biznesi kushtëzohet nga sundimi i fortë i ligjit, rritja e investimeve të huaja direkte dhe politikat e favorshme të zhvillimit të qëndrueshëm. Në ndjekjen e këtyre qëllimeve, zyra ime do të jetë gjithmonë partneri juaj. Ne qëndrojmë krah për krah në përpjekjet tona për të promovuar një rritje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme.

Në fund, ju falënderoj për vendosmërinë tuaj për të ndihmuar Kosovën të rritet: të rritet më e fuqishme, të rritet më mirë. Jam e bindur se së bashku, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të ndritshme dhe më të begatë për vendin dhe popullin tonë. Ju faleminderit!