Pejë, 27 dhjetor 2019 – Për të dytin vit radhazi, Presidentja e katërt e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ndanë dhurata për fëmijët e verbër, studentë të Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë.
Gjatë kësaj vizite, stafi i Qendrës Burimore “Xheladin Deda” informoi Odën Amerikane dhe Presidenten Jahjaga mbi sfidat e shumta me të cilat ata përballen, përfshirë këtu nivelin e ulët të mundësive për punësim për këtë grup, si dhe nevojën për më shumë staf dhe pajisje për të mbështetur aktivitetet e tyre në krijimin e kushteve më të mira për studentët.
Fondacioni i Odës Ekonomike Amerikane ka mbështetur edhe më parë zhvillimin e kësaj qendre, duke dhuruar tre makina të shkrimit Braille.