Fondi për Garanci Kreditore sqaron procedurat për përfitimin e bizneseve

Prishtinë, 24 shkurt 2021 – Shpërthimi i pandemisë COVID-19 ka ndikuar drastikisht në aktivitetin ekonomik, duke kufizuar funksionimin e shumë industrive, dhe duke ndikuar kështu në rënie të mëdha të qarkullimit për të njëjtat. Roli i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) në lehtësim të qasjes në financa, procedurat që duhet të ndjekin bizneset për të shfrytëzuar garantimin nga ky fond, limitet e financimit nga i njëjti si dhe roli i bankave komerciale në përcaktimin e përfituesve, u diskutuan në tryezën e fundit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me panelistë përfaqësues nga ky institucion, si dhe sektori bankar në vend.

Besnik Berisha, drejtor ekzekutiv i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, foli mbi rolin e këtij institucioni në ndihmën për qasje në financa ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, me fokus në aktivitetin e të njëjtit në pjesën e rimëkëmbjes ekonomike. Sipas Berishas, FKGK nëpërmjet garantimit të portofolit kreditor të bankave partnere, ka arritur të ndihmojë në lehtësimin e qasjes në financa për bizneset vendore, konform me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Ai theksoi se në këtë periudhë, fondi ka rritur mbulueshmërinë me garancion kreditor deri në 80% të vlerës së kredisë, krahasuar me vlerën e mëparshme të mbulueshmërisë prej 50%. Berisha njoftoi se për shfrytëzim të këtij fondi, bizneset duhet të aplikojnë për kredi në banka komerciale dhe të kalojnë procedurat e bankës, ndërsa nëse vlera e kolateralit të tyre është e pamjaftueshme, bankat kanë në diskrecion mundësinë e lëshimit të kredisë, duke shfrytëzuar garancinë nga FKGK.

Moderatori i kësaj ngjarjeje, Blin Zeqiri, kryeshef ekzekutiv në Art House, theksoi nevojën për qartësim të procedurave të kredimarrjes së garantuar nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, meqë sipas tij, bizneset në këtë kohë kanë nevojë për mbajtje të likuiditetit ose për investime të reja, dhe janë të interesuar të shfrytëzojnë mundësitë e ofruara nga ky institucion.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin edhe përfaqësues nga bankat komerciale. Suat Bakkal, kryeshef ekzekutiv dhe drejtor në Bankën Kombëtare Tregtare, theksoi se Kosova ka sektorin bankar me performancën më të mirë në rajon, derisa përmendi se FKGK luan një rol shumë të rëndësishëm në menaxhimin e rrezikut dhe lëshimin e më shumë kredive nga bankat. Megjithatë, ai theksoi se stabiliteti i këtij fondi është kyç për kontinuitetin e sistemit bankar, andaj i njëjti duhet përdorur mençur nga bankat.

Robert Wright, kryeshef ekzekutiv në Raiffeisen Bank Kosovo tha se vlerësimi i kredidhënies nga bankat varet nga rasti në rast, për shkak se huadhënia duhet të vlerësohet varësisht nga industria dhe kriteret përkatëse, derisa theksoi se diçka e tillë u shërben edhe më mirë kredimarrësve.  Wright potencoi se sektori bankar është shumë i interesuar për të dhënë hua dhe për të shfrytëzuar FKGK-në, derisa përmendi edhe përgjegjësinë sociale të demonstruar nga bankat për shtyerje të pagesave të kredive gjatë ballafaqimit me pandeminë.

Zëvendës kryeshefi ekzekutiv në Bankën për Biznes, Artan Sadiku, theksoi se kjo bankë ka shfrytëzuar Fondin Kosovar për Garanci Kreditore për të lëshuar kredi kryesisht tek ndërmarrjet mikro, të cilat si katalizatorët kryesorë të ekonomisë dhe gjenerimit të punësimit në Kosovë janë profil i targetuar i kësaj banke. Ai tha se BPB qëndron në bashkëpunim shumë të afërt me FKGK, derisa e  konsideroi këtë bashkëpunimin si një mundësi shumë të mirë, sidomos në mitigimin e riskut.

Hamide Pacolli Gashi, zëvendës kryeshefe ekzekutive në Bankën Ekonomike, tha se kjo bankë ka luajtuar një rol shumë të rëndësishëm në kreditimin e klientëve të saj në të gjithë sektorët gjatë periudhës së pandemisë. Ajo theksoi se qasja në kreditim është mundësuar nga likuiditeti i mirë i bankës, si dhe kreditë janë lëshuar edhe për klientët ekzistues por edhe ata të rinjë, derisa tha se edhe FKGK ka qenë mjaft ndihmues në mbulimin e kolateralit për klientët me potencial financiar por me mungesë të kolateralit.

Zyrtari kryesor financiar në bankën TEB, Rezak Fetai, tha se sistemi bankar në përgjithësi ka luajtur një rol të rëndësishëm në ballafaqimin me situatën e pandemisë. Sipas tij, një aspekt pozitiv për sistemin ishte se hyri në këtë krizë me indikatorë të suksesshëm, gjë që i mundësoi të përgjigjet në formë të duhur ndaj të njëjtës. Ai tha se banka TEB në momentin kur filloi kriza financiare ka marrë vendim për të krijuar linja të veçanta kreditore në ndihmë ndaj bizneseve ekzistuese, duke shfrytëzuar edhe marrëveshjen me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore për të rritur nivelin e kreditimit.