Forum mbi të Ardhmen e Pagesave me fokus në Fintech

Prishtinë, 2 mars 2022 – Oda Ekonomike Amerikane organizoi një forum për të diskutuar të Ardhmen e Pagesave: Fokusi në FinTech, ku folësit e këtij forumi ishin Sokol Havolli, zëvendësguvernator i Bankës Qendrore, Gazmend Selmani, nga PBC/ibas dhe Astrit Leti, Drejtor i Operacioneve ne TIVE.

Sokol Havolli, zëvendësguvernator i Bankës Qendrore tha se Banka Qendrore është duke punuar në krijimin e mekanizmave më efikas të pagesave, që e reduktojnë përdorimin e parave të gatshme. Më tutje, kur diskutuan problematikat e institucioneve financiare, ai theksoi se Kosova nuk e ka një qendër të procesimit të pagesave, dhe rrjedhimisht secili transaksion e ka një kosto më të lartë se po të ekzistonte një qendër e tillë.

Gazmend Selmani, nga PBC/ibas, përmendi  dy komponentë kyç në funksionimin e pavarur të një institucioni financiar, njëri komponent është përfshirja në sistemin ndër bankar të pagesave, ndërsa komponenti tjetër është krijimi i instrumenteve që nxisin operatorët të ofrojnë metoda të pagesave në mënyrë elektronike. Ai tha se me këto dy elemente, numri i pagesave elektronike do të rritej. Ai shtoi se kur qytetarët nuk janë të sigurt që do të kenë mundësinë të paguajnë në mënyrë elektronike, ata sigurohen që të kenë para të gatshme me vete, dhe kjo rrjedhimisht e zbret numrin e pagesave elektronike në raport me mundësitë që janë në treg.

Astrit Leti, Drejtor i Operacioneve në TIVE, theksoi se duhet ta luftojmë evazionin fiskal. Ai tha se evazioni fiskal i nxit njerëzit që ata të paguajnë me para të gatshme. Ai u shpreh se nëse me mekanizmat që i kemi  e luftojmë evazionin fiskal, atëherë rrjedhimisht, do të rritej numri i pagesave elektronike. Më tutje, ai përmendi dy çështje të rëndësishme në krijimin e metodave të reja të pagesave: luftimin e evazionit fiskal dhe krijimin i një infrastrukture të mirë ligjore.