Fuqizimi ekonomik i të gjitha grupeve të shoqërisë është i domosdoshëm për një zhvillim gjithëpërfshirës

Prishtinë, 20 nëntor 2020 – Ndërmarrësia gjithëpërfshirëse është e domosdoshme për të luftuar përjashtimin social si dhe atë financiar të grupeve specifike të shoqërisë, ndërsa bizneset mund të luajnë një rol të rëndësishëm në stimulimin e këtij procesi. Kjo u tha gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, brenda temës së përfshirjes në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë.

Valerie Tucker, zyrtare ekonomike në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, si dhe moderatore e këtij forumi, theksoi se mundësitë e barabarta për të gjithë, pavarësisht nga raca, ngjyra, origjina etnike, feja, gjinia, mosha ose aftësitë e kufizuara, ndërtojnë një shoqëri më paqësore, demokratike dhe prosperuese. Ajo deklaroi se shpirti ndërmarrës nuk diskriminon asnjë kategori të identitetit, dhe se të gjithë duhet të kenë mundësinë t’i realizojnë ëndrrat e tyre, por megjithatë pabarazitë ende vazhdojnë. Tucker më tej tha se ndërmarrësia është themeli i rritjes së sektorit privat, i cili sjell rezultate më të mira ekonomike në të gjithë Kosovën, dhe fuqizimi i të gjitha grupeve për të qenë ndërmarrës kontribuon në zhvillimin e lidershipit, angazhimin qytetar dhe përfshirjen sociale, pasi shkëmbimi i mallrave dhe shërbimeve është shkëmbim i kulturës dhe ideve.

Sanela Klimenta, kryesuese e iniciativave për Përfshirje Ekonomike dhe Ndërmarrësi në Rrjetin e Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptiane të Kosovës – RROGRAEK, deklaroi se kjo organizatë është themeluar që nga viti 2006 dhe që nga ajo kohë merret me çështjen e përfshirjes sociale. Klimenta tha se kohët e fundit kjo organizatë ka zbatuar disa projekte ekonomike që synojnë përfshirjen ekonomike sociale, të cilat janë realizuar falë ndihmës së donatorëve të ndryshëm. Sipas saj, një nga pengesat më të mëdha me të cilat përballen komunitetet që përfaqëson kjo organizatë është gjuha, sepse në shumë raste të njëjtit nuk flasin shqip. Ndërsa, ajo theks të veçantë i dha nevojës për të mbështetur më tej fuqizimin ekonomik të grave nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane, në mënyrë që të krijohet një gjithpërfshirje sociale, si dhe në të njëjtën kohë të mbështetet ekonomia e vendit.

Isak Vorgucic, bashkëpronar në Birrarinë Pivdžan theksoi se ai e drejton këtë biznes së bashku me gruan e tij, derisa përmendi se në fillim kishin për qëllim t’i shërbenin vetëm një tregu relativisht të vogël. Një nga sfidat që ai përmendi në lidhje me rritjen e pjesëmarrjes së produktit të tyre në treg ishte nevoja për të krijuar besim, sepse sipas tij, edhe tani 20 vite pas konfliktit nuk ka aq shumë besim nga produktet që vijnë nga zonat e pakicave, dhe është e pazakontë të kesh produkte të tilla në një treg që mbizotërohet nga shqiptarët. Sidoqoftë, Vorgucic potencoi se pak nga pak biznesi i tyre po lulëzon dhe po fillon të pranohet, derisa tregoi se tani birra e tyre po shitet përmes një zinxhiri të famshëm të marketeve në Kosovë. Ai tha se etiketat në produktin e tyre inicialisht ishin vetëm në gjuhën serbe dhe shqipe, sepse ligji në Kosovë kërkon të dy gjuhët zyrtare, mirëpo duke marrë parasysh që produkti i tyre targeton edhe ndërkombëtarët që jetojnë në Kosovë, tani po përdorin edhe gjuhën angleze.

Java Globale e Ndërmarrësisë në Kosovë organizohet nën udhëheqjen e Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK).