Garantimi kreditor stimulues i mbajtjes së likuiditetit të bizneseve

Prishtinë, 10 prill 2020 – Fondi Kosovar për Garanci Kreditore luan një rol të rëndësishëm në qasjen e shtuar në financa për bizneset, sidomos në këtë kohë të krizës kur likuiditeti është kyç në operimin e ndërmarrjeve të çfarëdo sektori. Kjo u tha gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku u diskutua mbi rolin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore në kohë krize.

Besnik Berisha, Drejtor Menaxhues i Fondi Kosovar për Garanci Kreditore theksoi se sektori privat dita ditës po i vuan më shumë efektet e krizës ekonomike si rrjedhojë e pandemisë COVID19. Berisha foli mbi veprimtarinë aktuale të Fondit si dhe masat që ky institucion në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe donatorët ndërkombëtarë është duke i ndërmarrë në përkrahje të ndërmarrjeve mikro, të vogla, dhe të mesme, por edhe të institucioneve partnere financiare gjatë kësaj periudhe të krizës. Për më tepër, Berisha njoftoi se Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është funksional, dhe së fundmi kapitali garantues i tij është rritur për 6.5 milionë euro për agrobiznese, si rrjedhojë e një marrëveshjeje financiare mes Qeverisë tonë dhe asaj Gjermane. Tutje, Berisha përmendi se institucioni që ai drejton është në diskutim të vazhdueshëm me partnerë në lidhje me krijimin e portfoliove të reja përkrahëse për sektorë të ndryshëm ekonomik pas periudhës së rikuperimit nga pandemia.

Milazim Abazi, Drejtor i Tregut në BDO Kosova dhe njëherit Kryesues i Komitetit të Financave të Odës Amerikane tha Fondi Kosovar për Garanci Kreditore luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, duke iu mundësuar qasje në huamarrje bankare edhe bizneseve të reja, pra atyre pa histori paraprake të operimit të biznesit. Ai sugjeroi se tashmë bankat duhet të jenë më fleksibile në instrumentet dhe portfoliot e tyre kreditore, ku përmendi se përveç shtyrjes së afateve të pagesave, ato duhet të japin kredi me interes shumë më të ulët në krahasim me interesin e përllogaritur para krizës. Sipas Abazit, ndikimi mjaft i madh i pandemisë është i pakontestueshëm, mirëpo mundësitë për rikuperim dhe investime te reja gjithashtu do të rriten për ata që dinë të e shfrytëzojnë pozitivisht këtë mundësi.