Gastronomët inkurajojnë përkrahjen e prodhimeve vendore

Prishtinë, 9 nëntor 2021- Diskutimi i radhës i organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane kishte për fokus ndërrmarrjet në sektorin e ushqimit, vështirësitë dhe sukseset e kësaj fushe.

Themeluesi i Green&Protein dhe moderator i ngjarjes, Ardian Hoxha përmendi rëndësinë e gastronomisë dhe sektorit të ushqimit në gjenerimin e vendeve të reja të punës duke sjellë kështu edhe të hyra për vetë shtetin. Për më tepër, këto biznese inspirojnë edhe biznese të tjera, si në imazhin vendor, edhe në atë ndërkombëtar. Rreth ndikimit të pandemisë në sektorin e ushqimit, ai u shpreh se ka qenë sfidë, por që ka sjellë edhe disa të mira rreth marrëdhënieve themelues-punonjës, sepse është rritur kreativiteti, dhe ka pasur kosto më të ulët gjithashtu.

Baton Domi, themelues i Soma Book Station tha se çdo detaj përbën rëndësi në fushën e gastronomisë. Ai shtoi se ‘Slow Food’’ bazohet në kuzhinën tradicionale me rafinim dhe se i kushtohet rëndësi të madhe kultivuesve vendor, duke theksuar kështu kujdesin që kanë me produktet të cilat i shërbejnë. Ai tutje përmendi si vision të tyre ridentifikimin e produkteve të Kosovës në ndërgjegjësimin e produkteve me të cilat punohet dhe mundësinë e eksportit të këtyre produkteve që sipas tij mund të ndodhë nëpërmjet restoranteve, marketeve dhe agrikulturës. Në këtë mënyrë stimulohen fermerët dhe krijohen industri të reja që mund të eskportohen jashtë vendit.

Shpend Thaqi, bashkë-themelues i Sach theksoi rëndësinë e besimit të klientëve duke shtuar se gjërat e tjerat rrjedhin vetë. Ai foli për rëndësinë e hulumtimit të tregut dhe rëndësinë e përshtatjes së tregut ne Kosovë. Ai tha se për fillimin e një biznesi të ri nevojiten ide origjinale, me dëshira të realizueshme, dhe investim në kohë. Thaqi komentoi edhe faktin se bizneset synojnë që menjëherë të prekin majat e suksesit, por sipas tij, një ndërrmarrje e re kërkon procese dhe merr kohë.