Prishtinë, 24 shkurt 2022 – Oda Ekonomike Amerikane organizoi një forum diskutimi për aprovimin e ligjit të themelimit të Gjykatës Komerciale, ku u adresuan ҫështje të natyrës njerëzore dhe buxhetore të kësaj gjykate.
Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, tregoi se ideja për themelimin e kësaj gjykate ka ardhur nga Oda Ekonomike Amerikane në vitin 2016 dhe janë të lumtur që qeveria Kurti e ka mbështetur themelimin e një gjykate të tillë. Ai tha se të pasurit e një mekanizimi të veҫantë gjyqësor ku trajtohen konteste të natyrës komerciale, mundëson trajtimin në mënyrë më efikase të këtyre kontesteve. Ai theksoi se pritshmëritë për gjykatën komerciale janë të larta, andaj ҫdo lloj vonese në operacionalizimin e kësaj gjykate mund të prodhojë zhgënjim të madh.
Blerim Sallahu, zv.ministër i drejtësisë, tregoi se pjesë e kësaj gjykate fillimisht do të jenë 15 gjyqtarë, nëntë prej të cilëve do të jenë në instancën e shkallës së parë dhe gjashtë do të jenë në instancën e shkallës së dytë. Sallahu ndau me të pranishmit se janë në negociata me ministrinë e financave që në rivlerësimin e buxhetit të Republikës së Kosovës në qershor, të ndahet një buxhet shtesë për të rritur numrin aktual të gjyqtarëve. Kjo si rezultat, do të rriste cilësinë dhe efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve në këtë gjykatë, shtoi ai. Ligjin për themelimin e Gjykatës Komerciale ai e përshkruan si ligj që do të rrisë cilësinë e të bërit biznes në Kosovë.
Qerim Ademaj, zv. Kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se këshilli që nga fillimi është pajtuar me mendimin që kjo gjykatë do të ketë rol pozitiv në adresimin e ҫështjeve që lidhen me biznesin. Ai premtoi se me mjetet buxhetore në dispozicion do të bëjnë përpjekje që kjo gjykatë të funksionalizohet. Ai tregoi se Këshilli Gjyqësor ka formuar një grup punues i cili do të pëpilojë planin operativ për funksionalizimin e kësaj gjykate. Ai tha se brenda një periudhe tremujore, pritet që të emërohen gjyqtarët dhe lëndët të barten në gjykatën komerciale për t’u trajtuar.
Chris Thompson, nga programi i USAID për Drejtësi Komerciale, tregoi se përpjekje shumë të mëdha janë bërë në krijimin e këtij ligji. Ai tha se komuniteti i biznesit dhe komuniteti ligjor duhet të jenë pjesë e këtij procesi. Ai theksoi se nëse implementohet saktësisht, ky ligj mund ta shndërrojë situatën e drejtësisë komerciale në Kosovë. Ai shtoi se është një hap përpara për mjedisin e investimeve në Kosovë. Ai tha se Gjykata Komerciale është krijuar për t’u shkëputur nga sistemi i vjetër. Do të jetë një institucion i ri që specializohet në zgjidhjen e kontesteve komerciale.
Kujtesa Nezaj Shehu, Shefe e Zyrës SDP Kosovo, Kryesuese e Komitetit për Ҫështje Ligjore, tha se themelimi i kësaj gjykate është një hap shumë i rëndësishëm në zhvillimin e drejtësisë komerciale në Kosovë. Ajo tregoi se ndër projektet e Komitetit për Ҫështje Ligjore të Odës Amerikane është ligji i Gjykatës Komerciale. Qëllimi i këtij projekti është që të analizohet ky ligj dhe pastaj të diskutohet me bizneset rreth pritshmërive që ata kanë lidhur më këtë ligj. Ajo shtoi se është e rëndësishme që prej themelimit të Gjykatës Komerciale të merren parasysh komentet e bizneseve, duke qenë se kjo gjykatë më së shumti trajton ҫështje të bizneseve.