Grua Ndërrmarrëse në Kosovë, sfidë dhe sukses në vete

Prishtinë, 8 nëntor 2021– Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë filloi Javën Globale të Ndërmarrësisë me temën e një rëndësie të madhe, që është “Mirënjohja e Grave Sipërmarrëse”.

Sot është përurimi i aktiviteteve të shumta që Oda Amerikane do të organizojë gjatë gjithë javës.

Panelistet e forumit ndanë njohuri të mëdha në lidhje me përvojat dhe sfidat e tyre si ndërmarrëse në Kosovë.

Anëtarë  pjesëmarrës në këtë panel ishin:  Albin Kurti, (Kryeministër i Kosovës), Edi Gusia (Shefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore), Valbonë Dushi  (Ministria e Tregtisë dhe Industrisë), Arbërore Riza (Themeluese e  HUUMë), Arta Istrefi Jahja (Themeluese e Grave Ndërrmarrëse të Kosovës), dhe Melita Ymeraga (Themeluese e Melita & Partners), dhe moderatore e forumit gjithashtu.

Ne fjalën hyrëse, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane theksoi se këtë vit do të organizohen njëzet aktivitete në kuadër të javës globale të ndërrmarrësisë. Tutje, Zeka shtoi që kjo javë promovon edhe frymën e ndërrmarrësisë, prandaj Oda Ekonomike Amerikane zhvillon aktivitete që kanë për qëllim të nxisin të rinjtë në mënyrë që të shohin ndërrmarrësinë si potencial për zhvillimin e karrierës së tyre. Për më tepër, ai shtoi që Oda Ekonomike Amerikane beson në ndërrmarrësit e rinj, dhe se pa fuqizimin e aspektit gjinor, nuk mund të ketë as shfrytëzim të potencialit të plotë të ndërmarrësisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në pakon e ringjalljes fokus dhe vëmendje të veçantë do i kushtohet fuqizimit ekonomik të grave. Kështu u shpreh kryeministri në forumin ‘’Gratë në Ndërrmarrësi’’ organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës.

Tutje, ai tha që numri i grave në ndërrmarrje është më i vogël krahasuar me burrat, duke shtuar që edhe pse në numër konsiderueshëm më të vogël gratë ballafaqohen me shumë sfida.

“Përderisa gratë dhe vajzat përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit tonë, nuk mund të pretendojmë rritje gjithëpërfshirëse pa inkuadrimin e tyre në tregun e punës, madje pa pjesëmarrje të tyre në vendimmarrje” tha Kryeministri Kurti.

Prandaj, kryeminstri theksoi rëndësinë e pakos së ringjalljes ekonomike për fuqizimin e grave dhe mbështetjen e punësimit të tyre.

Kryeministri shtoi që me masën 1.3 parashikohet që çdo grua e cila nuk ka qenë e punësuar në tre muajt e fundit e që është punësuar, të përfitojë subvencione prej 50% të pagës për tre muajt e parë, deri në vlerën prej 150-euro në muaj. Ndërsa, pas periudhës tre mujore grave të punësuara do u subvencionohet kontributi pensional deri në qershor të vitit 2022 shtoi kryeminsitri.

Edi Gusia, Shefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, renditi arsyet e numrit të vogël të grave ndërrmarrëse  dhe tha që kjo vjen si rezultat i mungesës së përfshirjes gjinore e cila është e theksuar në diskriminimin në punësim, nivelin e ulët të shkollimit, ndarjen e profesioneve gjinore, ndarjen e pabarabartë të obligimeve, dhe  qasjen e ulët të grave në pronësi për të inicuar biznes.

Gratë në Kosove përballen me një diskriminim historik dhe sistematik, dhe gratë kanë arritur të mbyllin hapësira që janë shekullore tha Gusia.

Arbërore Riza,  themeluese e HUUMë përmendi si një nga vështirësitë e ndërrmarrësve ekonominë joformale që sipas saj mbetet një sfide për tregun e biznesit në Kosovë.

Tutje, Riza kërkoi përkrahje morale më të madhe, dhe shtoi që fokus I qeverisë dhe institucioneve duhet të jenë edhe prodhuesit e vegjël dhe jo vetëm ata të mëdhenj.

Arta Istrefi Jahja, Themeluese e Grave Ndërrmarrëse të Kosovës- u shpreh që bizneset duhet të informohen më shumë dhe që ekziston një dallim i theksuar i grave ne zonat rurale krahasuar me ato urbane. ‘Gratë duhë t’i përkrahin gratë’, dhe ka ka një nevojë të dukshme që grate të kenë një rrjet të tyre tha Istrefi Jahja.

Valbonë Dushi, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tha që vërehet një trend i rritjes së ndërrmarrësve gjatë këtyre viteve, por që duhet dialog me të gjithë akterët që të vazhdojmë tutje.

Industria prodhuese dhe sektori I tekstilit  konsiderohen lider në punësimin e grave shtoi Dushi.

Melita Ymeraga, themeluese e Melita&Partners përmendi sfidat e tjera siç janë mungesa e resurseve humane, globalizimi të cilat janë sfida që ballafaqohen ndërrmarrësit në përgjithësi.