Implementimi i politikave të CSR thekson rolin pozitiv të bizneseve në shoqëri

Prishtinë, 23 shkurt 2021 – Kontributi i bizneseve në shoqëri ka rëndësi të veçantë në përmirësimin e kualitetit të jetës dhe mirëqenies së komunitetit në të cilin ata veprojnë. Ndërsa, krijimi i politikave të veçanta për Përgjegjësisë Sociale Korporative (CSR) brenda kompanive është një mënyrë e të treguarit se ndërmarrjet private janë të vetëdijshme dhe përgjegjëse për ndikimin e vendimeve të tyre në ambientin që i rrethon. Këto u thanë, mes tjerash, në forumin e fundit virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, gjatë së cilit u trajtua tema e krijimit të politikave të CSR.

Moderatorja e kësaj ngjarjeje, Valentina Gara, menaxhere e Marrëdhënieve me Publikun në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, tha se politikat e Përgjegjësisë Sociale Korporative kanë rëndësi të veçantë në zhvillimin e mëtutjeshëm të korporatës por edhe shoqërisë në të cilën operon e njëjta. Sipas Garas, ato sigurojnë veprimet etike të kompanive, duke qenë të përgjegjshme ndaj shoqërisë apo duke theksuar rëndësinë e ndikimit të një biznesi në shoqëri, në ekonomi, në ambient dhe në mirëqenie të përgjithshme.

Pjesë e panelit të këtij diskutimi ishin përfaqësues nga bizneset anëtare të Odës Amerikane, të cilat janë mjaft aktive në fushën e CSR, si dhe aktivitetin e tyre e bazojnë në politikat tashmë të krijuara të Përgjegjësisë Sociale Korporative brenda kompanive të tyre.

Afrika Zyferi, eksperte për Marrëdhënie me Publikun në kompaninë IPKO tha se kjo ndërmarrje është e dedikuar që të punojë në të mirë të shoqërisë, derisa gjithashtu theksoi se e njëjta ka të implementuara politika të caktuara të CSR, si dhe ka një komitet të veçantë i cili harton këto politika dhe identifikon ose vlerëson çështjet dhe kauzat e ndryshme për t’u përkrahur. Zyferi gjithashtu theksoi se për çdo kompani do të ishte më e lehtë të zhvillojë përpjekjet e veta në këtë aspekt, nëse institucionet do të hulumtonin dhe identifikonin fushat në të cilat ka më shumë nevojë të shprehet përgjegjësia sociale korporative.

Ndërsa, Besnik Haziri, menaxher i degës në ProCredit Bank Kosova tha se krijimi i përgjithshëm i politikave të CSR nga bizneset padyshim se do të kishte impakt në përmirësimin e jetës së qytetarëve, derisa theksoi se është shumë e rëndësishme që politikat e tilla të mos ekzistojnë vetëm në të shkruar, por të realizohen. Haziri tha se banka ProCredit i kushton rëndësi të theksuar ndikimit që projektet të cilat financon e njëjta kanë në ambient dhe shoqëri, me ç’rast përmendi faktin se një ndër objektivat kryesore të kësaj kompanie është orientimi i Kosovës në konsum të energjisë së ripërtërishme në përgjithësi, me fokus në atë solare.