Inflacioni, një sfidë e së tashmes dhe e të ardhmes

Prishtinë, 7 qershor, 2022 – Mbajtja në kontroll e inflacionit ishte tema e parë që u shtjellua në një seri ngjarjesh të lansuara nga Oda Amerikane, që kanë në fokus sfidat e ardhshme për ekonominë e Kosovës. Në një diskutim ekspertësh që nisën forumin e parë në kuadër të kësaj serie si Visar Ymeri (Instituti Musine Kokolari), Hajdar Korbi (Banka Botërore) dhe Ramis Ahmetaj (Ekspert Financiar) folën për burimet e inflacionit si dhe dhanë rekomandime të cilat mund të zbatohen nga ana e institucioneve të vendit.

Visar Ymeri, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokolari” tha se rritja e inflacionit në Kosovë vjen si pasojë e futjes së parave në treg në mënyrë të pakontrolluar dhe brenda një kohe shumë të shkurtër. Ai shtoi se inflacioni ka filluar vitin e kaluar, me futjen e parave në treg, si hap për të rinisur ciklin ekonomik që ishte ndërprerë si pasojë e pandemisë. Në vazhdim, ai tha se politikat qeveritare duhet të fokusohen në stabilizimin e çmimeve të konsumit bazë dhe të zvogëlojnë efektet negative të ngritjes së çmimeve në shtresat e ndjeshme të shoqërisë.

Hajdar Korbi nga Banka Botërore dha një prezantim të detajuar rreth burimeve të inflacionit global ku bëri edhe një krahasim mes periudhave të ndryshme të inflacionit në Kosovë dhe në Eurozone. Ai tha se është e vështirë që çmimet të kontrollohen, prandaj, fokusi i qeverisë duhet të jetë përkrahja e shtresave që ndikohen më së shumti nga rritja e çmimeve.

Eksperti Financiar, Ramis Ahmetaj tha se rritja e inflacionit në nivele të larta ka ardhur si rezultat i pandemisë, si dhe luftës në Ukrainë. Sipas tij, burimi i inflacionit në Kosovë është rritja e kostos së lëndës së parë. Ai tha se jemi në një situatë ku inflacioni është i madh dhe sasia e konsumit të gjerë do të pësojë rënie, nëse nuk merren masa më shpejt.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se çështja e rritjes së inflacionit ashtu si edhe sfidave të tjera që mund të pasojnë në muajt në vijim duhet të adresohen në mënyrë proaktive dhe se qëllimi i kësaj serie të diskutimeve në Odën Amerikane është gjenerimi i diskutimit dhe gjenerimi i rekomandimeve për qeverinë.