Inkorporimi i ndërmarrësisë në sistemet arsimore, në shërbim të studentëve drejt zhvillimit të karrierës

Prishtinë, 16 nëntor 2020 – Sistemet e arsimit duhet të reformohen në hap me kohën duke ofruar jo vetëm njohuri por edhe përgatitje dhe shkathtësi për jetë, ndërsa inkorporimi i ndërmarrësisë brenda kurrikulave shkollore do të jetë më se e dobishme për të gjithë studentët. Këto u thanë mes tjerash gjatë forumit virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, e cila organizohet nën udhëheqjen e Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK).

Enver Osdautaj, këshilltar i lartë i Ministrit të Arsimit, tha se Ministria e Arsimit ka arritur që përmes përmbushjes së politikave të këshillimit dhe orientimit të studentëve, ka arritur të implementoj konceptin e karrierës në të gjitha nivelet arsimore para-universitare. Sipas tij, ndërmarrësia si koncept realizohet që nga klasa e parë e tutje përmes lëndëve të ndryshme që u mësojnë nxënësve aftësi për jetë.  Tutje Osdautaj theksoi se janë nënshkruar memorandume të ndryshme me korporata vendore për të mundësuar kryerjen e praktikave në sektor të ndryshëm gjersa theksoi se gjatë hartimit, kurrikulat mësimore i nënshtrohen një medotologjie shkencore për tu përshtatur me nevojat e tregut të punës.

Albina Balidemaj, prodekane për çështje akademike në Universitetin Amerikan në Kosovë duke u ndërlidhur me konceptin e ndërmarrësisë në përgjithësi iu referua programit arsimor të institutit që ajo përfaqëson, përmendi se programet e ofruara nga ky universitet siç janë ai Bachellor i shkencave dhe arteve anojnë nga ndërmarrësia. Balidemaj gjithashtu përmendi një aspekt tjetër të këtyre programeve është përmbushja e punëve koperative përgjatë katër viteve të studimit që sipas saj, u shërben studentëve të përgatiten për tregun e punës dhe ndërtimin e karrierës pas përfundimit të studimeve.

Gëzim Gjikolli, menaxher i shërbimeve të këshillimit financiar në kompaninë Deloitte, njëherit edhe moderator i forumit, potencoi se me inkorporimin e ndërmarrësisë në programet arsimore të rinjët e vendit do të gëzojnë përfitime mjaft të mëdha, ku potencoi rritjen e vetbesimit, përfitimin e njohurive të nevojshme për realizueshmërinë e ideve të tyre inovative si dhe aftësi për zgjidhje të problemeve që ata hasin në mënyrë praktike.