Inkorporimi i teknologjive të mençura ndihmon zhvillimin e praktikave bujqësore në Kosovë

Prishtinë, 19 nëntor 2020 – Bujqësia vazhdon të mbetet një ndër sektorët më premtues për zhvillimin e ekonomisë së vendit, ndërsa ky sektor mund të avancohet tutje me inkorporimin e teknologjive të mençura që lehtësojnë punën dhe menaxhimin e të njëjtit. Kjo u tha, ndër të tjera, gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në partneritet me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe Programin Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale (AGRO) të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në të cilin u diskutuan avantazhet e përfshirjes së teknologjisë në bujqësi.

Fatmir Selimi, drejtues i programit të USAID për Zhvillim Bujqësor dhe Mundësi Rurale (AGRO), njëherit edhe moderator i këtij forumi, theksoi se në mesin e aktiviteteve kyçe të këtij programi qëndron edhe promovimi i inkorporimit të teknologjive të reja në sektorin e bujqësisë, me qëllim të rritjes së kualitetit të prodhimit. Ai gjithashtu theksoi se bujqësia tashmë është një sektor shumë i rëndësishëm dhe me mjaft ndikim në ekonomi.

Armend Skeja, kryeshef ekzekutiv në Agmia Fruits, tha se pa përdorimin e teknologjisë për zhvillimin e kulturave bujqësore, nuk mund të shfrytëzohet në tërësi potenciali i këtij sektori. Teksa foli për praktikat e kompanisë që drejton, Skeja përmendi shfrytëzimin e stacioneve për parashikim të motit, ku tha se i njëjti u ka ndihmuar shumë në planifikimin e veprimtarive të tyre sipas kushteve klimatike të parashikuara. Ai gjithashtu përmendi edhe implementimin e softuerëve për menaxhimin e fermave, gjë që e rekomandoi për të gjithë fermerët në vend. Tutje, ai përmendi edhe përdorimin e dronëve, të cilët ofrojnë në pasqyrë më të mirë të tokave të punuara dhe lehtësojnë identifikimin e të mbjellave jo të mira.

Endrit Ameti kryeshef ekzekutiv i kompanisë Biotech Agriculture theksoi se promovimi i teknologjisë së mençur në bujqësi do të rris atraktivitetin e sektorit, duke nxitur kështu të rinjtë e vendit të përfshihen në këtë sektor, gjë që rrjedhimisht do të ketë ndikim pozitiv në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së Kosovës. Tutje, Ameti foli edhe për veprimtaritë e kompanisë Biotech Agriculture, të cilat mes të tjerash përfshijnë implementimin e serave të mençura dhe sistemeve të ujitjes të cilat u ndihmojë fermerëve të rrisin pjellorinë e tokave të cilat i punojnë.

Yll Hoxha, pronar i kompanisë Santefruit, theksoi se megjithë inkorporimin e teknologjisë, këtij sektori i akoma i mungon mbështetja në aspektin e analizave, që pengon shfrytëzimin e plotë të teknologjisë bujqësore. Duke u ndërlidhur me dëmet e shkaktuara nga kushtet klimatike së fundmi, Hoxha potencoi se të njejtat duhet të merren parasysh sidomos nga investitorët, për shkak se këto ndryshime kanë sjellë rritje të breshërive edhe në Kosovë, të cilat sado të parashikueshme, sjellin dëme në produktet bujqësore.

Ky forum virtual u organizua në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, e cila në Kosovë organizohet nën udhëheqjen e Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK).