Inkurajohen të rinjtë të fokusohen në industrinë e prodhimit

Prishtinë, 13 nëntor 2021– Për të diskutuar mbi industrinë e prodhimit në Kosovë, sfidat dhe përparësitë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi forumin e radhës me hisedarë nga sektori privat.

Andrra Nurkollari, Zyrtare e Politikave dhe Komunikimit në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se krijimi i produkteve të reja nga lëndet e para ose komponentët, dhe përfundimi i luftës, industrinë e prodhimit e ka gjetur në një situatë më të vështirë.

Sami Dida, pronar i kompanisë Proton Cable, u shpreh se arsyeja që ka filluar të merret me prodhimtari ishte për shkak se në periudhën kur ai filloi, nuk ishte e zhvilluar industria e prodhimtarisë, dhe në këtë mënyrë e ka sfiduar edhe veten, si dhe dëshira për të arritur diçka më shumë në këtë periudhë.

Gojart Kelmendi, pronar dhe themelues i kompanisë EuroKosova tha se nuk ka pasur përvojë më herët në industrinë e prodhimit dhe njohuritë kanë qenë të pakta sepse është dashur që gjithcka ta marrë përsipër vetëm.

‘Të bërit biznes në Kosovë është duke u permirësuar dhe tani është shumë më e lehtë. Gjeneratat e reja e kanë shumë më të lehtë për t’u marrë me prodhim’, tha Kelmendi.