Java e arbitrazhit fillon për të pestin vit radhazi në Kosovë

Prishtinë, 27 Mars 2023 – Sot filloi java e Arbitrazhit e organizuar nga Oda Amerikane dhe Programi USAID-it për Drejtësi Komerciale në Kosovë. Kjo javë synon të promovojë ndërgjegjësimin për përfitimet e arbitrazhit si një mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për bizneset.

Në ditën e parë të kësaj jave u mbajt një panel diskutimi me temën mbi “Mundësitë e arbitrazhit dhe gjyqësorit për bizneset”. Paneli përbëhej nga Chris Thompson, udhëheqës i programit të USAID për Drejtësi Komerciale, Mahir Tutuli, Kryetar i Gjykatës Komerciale në Kosovë dhe Kujtesa Nezaj Shehu, Avokate në SDP Kosova.

Arbitrazhi shpesh konsiderohet të jetë një proces më efikas se procesi gjyqësor për shkak të shpejtësisë, efektivitetit të kostos dhe fleksibilitetit të procesit dhe procedurës. Gjatë panelit, Tutuli theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së bizneseve në arbitrazh për të lehtësuar barrën e gjykatave.

Juristja Nezaj-Shehu vuri në dukje se ndërsa bizneset janë njohur me arbitrazhin si koncept, atyre u mungon informacioni i detajuar për procesin e arbitrazhit. “Këshilla ime për bizneset është që të kenë gjithmonë një kontratë përpara se të hyjnë në ndonjë marrëdhënie biznesi. Kontrata duhet të shqyrtohet me kujdes nga avokati i kompanisë. Në rast të përdorimit të arbitrazhit në kontratë, është e rëndësishme të përdoren klauzolat model të ofruara nga institucionet e arbitrazhit për të shmangur çdo mosmarrëveshje të mundshme juridiksionale dhe për të siguruar një zgjidhje të sigurt”, tha Nezaj – Shehu.

Lidhur me nevojën për të rritur ndërgjegjësimin për arbitrazhin në mesin e bizneseve Thompson tha “Ne shpresojmë se kjo ngjarje do të inkurajojë më shumë biznese në Kosovë që ta konsiderojnë arbitrazhin si një opsion praktik për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, duke shtuar “ne inkurajojmë bizneset të vizitojnë faqen e internetit të Odës Amerikane për të mësuar më shumë rreth klauzolës së arbitrazhit që mund të përfshihet në kontrata”.

Java e Arbitrazhit do të vazhdojë me ngjarje dhe diskutime të ndryshme gjatë gjithë javës, të gjitha me synim promovimin dhe ndërgjegjësimin për përfitimet e arbitrazhit si mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për bizneset.