Kërkohet vetëdijësim më i madh i sektorit privat dhe shoqërisë në lidhje me sigurinë kibernetike

Prishtinë, 29 Nëntor 2021-Ngjarja e radhës e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kishte në fokus sigurinë kibernetike dhe praktikën e mbrojtjes së sistemeve kritike.

Astrit Leti nga Tive Inc u shpreh që siguria kibernetike ka të bëjë me siguri dhe korrektësi dhe në botën afariste është më se e rendesishme që transporti të jetë i shpejtë, i saktë duke pasur parasysh dhe pasojat e pandemisë ditëve të sotme.

Sipas tij, këto vitet e fundit është ngritur vetëdija dhe bëri thirje të investohet më shumë në sigurinë e të dhënave dhe infrastrukturës së teknologjisë së informacionit. Tutje, ai tha që bota e sigurisë kibernetike dhe më specifikisht mbrojtja e të dhënave ndahet në dy pjesë; në pjesën e zhvillimit privat qe evolon shumë shpejt, dhe në sektorin publik gjithashtu. Për më tepër, ai shtoi që ligji duhet të zbatohet nga shteti, por kompanitë gjithashtu duhet t’ju ofrojnë trajnime bazike stafit.

‘Për sigurinë kibernetike, duhet ofruar përkrahje dhe mbrojtje bazike për stafin e çdo kompanie’ shtoi ai.

Robert Shala (Sentry) tha që ka të ardhme për tregun në Kosovë si nga aspekti i biznesit dhe te sigurisë së informacionit, dhe që edukimi në lidhje me sigurinë kibernetike në fazat e hershme është thelbësor.

Duhet menduar për një plan më afatgjatë në vitet e ardhshme e kjo mund të arrihet nëpërmjet edukimit në shkolla, dhe zhvilimit të sektorit privat dhe publik, shtoi ai.

Xhavit Gashi (Cacttus) theksoi që siguria kibernetike ka të bëjë me ruajtjen e të dhënave, informacionin e sigurisë dhe që ato te jene konfidenciale.

Sipas tij, ka përgatitje të duhur nga sektori privat, po zhvillohen më shumë trajnime dhe programe gjithashtu. Ai përmendi si shumë të rëndësishëm partneritetin publiko-privat dhe edukimin në fushën e sigurisë kibernetike.

Ermal Sadiku (LinkPlus) dhe moderator i forumit gjithashtu tha që siguria kibernetike nuk ka të bëjë vetëm me botën digitale, por edhe me sjelljet e individëve dhe qasjen e tyre në teknologji.

Siguria kibernetike ka të bëjë me cdo gjë që  veprojmë si individë. Ai sugjeroi inkuadrimin e një teme apo lënde në shkollat e mesme, por edhe edukimi i shoqërisë në përgjithësi.