
Arian Zeka është Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë. Ai është emëruar në këtë pozitë në qershor të vitit 2012, pasi ka shërbyer më parë si Zëvendës Drejtor dhe Udhëheqës i Departamentit të Politikave që nga Nëntori i vitit 2009.
Krahas udhëheqjes së implementimit të një programi aktiv të shërbimeve, aktiviteteve dhe ngjarjeve në mbështetje të anëtarëve të Odës, ai gjithashtu promovon imazhin publik të organizatës duke shërbyer si ‘përfaqësues’ i Odës dhe duke ndërmjetësuar në emër të anëtarëve të saj me udhëheqësit e tjerë të Kosovës, komunitetet ndërkombëtare të biznesit, dhe me përfaqësuesit e agjencive qeveritare vendore dhe ndërkombëtare.
Detyrat dhe përgjegjësitë e tij përfshijnë krijimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve produktive të punës me organizatat dhe individët relevantë për Odën. Ai përfaqëson Odën Amerikane në Kosovë në mekanizmat më të rëndësishëm ekonomik në nivel shtetëror dhe ndër-institucional, siç është Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Gjatë vitit 2015, ai ishtë kryesues i Këshillit Konsultativ, i përbërë nga Ministria e Financave, Administrata Tatimore, Dogana, dhe dy organizata tjera të biznesit.
Gjatë periudhës së tij udhëheqëse, Oda ka dyfishuar anëtarësinë e saj, përderisa në vitin 2013, Oda Amerikane në Kosove ishte Oda me rritjen më të madhe në aspekt të anëtarësisë në mesin e 43 Odave Amerikane në Evropë. Gjithashtu, gjatë shërbimit të tij, Oda Amerikane ka themeluar në vitin 2012 Fondacionin e Bamirësisë, dhe ka fuqizuar edhe më shumë kapacitetet e Qendrës së Arbitrazhit në aspekt të ofrimit të arbitrazhit profesional dhe shërbimeve të ndërmjetësimit. Ai është gjithashtu anëtar ex-officio i Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit.