Komiteti i Kujdesit Shëndetësor mban takim me Drejtorin e Fondit për Sigurime Shëndetësore

Prishtinë, 6 prill, 2022 – Komiteti i Kujdesit Shëndetësor i Odës Ekonomike Amerikane mbajti takim me Fatmir Plakiqin, Drejtor i Fondit për Sigurime Shëndetësore. Në këtë takim u diskutua për pavarësinë e Fondit, mundësitë e bashkëpunimit mes sektorit privat dhe publik,  mungesën e stafit të kualifikuar, dhe çështje të tjera me rëndësi.

Fatmir Plakiqi, Drejtor i Fondit për Sigurime Shëndetësore, tha se Fondi ka arritur t’i krijojë dy sisteme shumë të rëndësishme, Sistemin e Informimit të Fondit dhe Recetën Elektronike, të cilat janë në fazën finale. Në vazhdim, ai tha se kanë arritur një marrëveshje mirëkuptimi me institucione të ndryshme publike për shkëmbimin e të dhënave, që janë me shumë rëndësi për Fondin.

Më tutje, anëtarët e Komitetit të Kujdesit Shëndetësor diskutuan shqetësimet e tyre lidhur me ligjin për çmimin e barnave dhe shërbimeve, mungesën e stafit të kualifikuar, dhe çështje të tjera të rëndësisë së lartë.