Prishtinë, 12 prill 2022 – Për të diskutuar sfidat me furnizim të energjisë dhe zëvendësimin me forma alternative të prodhimit të energjisë, Komiteti i Prodhimit mbajti takim me përfaqësues nga ZRrE dhe BERZH.
Lutfije Dervishi, Anëtare e Bordit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, tha se kriza energjetike në Kosovë ka ardhur si pasojë e problematikave të shumta, siç janë rënia e blloqeve, rritja e konsumit dhe bllokimi i linjave. Dervishi theksoi se këto probleme kanë pasur efekt të dyfishtë, jo vetëm në rritjen e çmimit të energjisë elektrike, por edhe në çmimet e tjera, si pasojë e kësaj rritjeje.
Leonora Kusari, Koordinatore Rajonale e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, tha se një ndër pikat e rëndësishme në strategji është investimi i gjelbër. Ajo tha se BERZH ofron mbështetje në dy komponentë, siç janë asistenca teknike dhe auditimi i energjisë brenda kompanive. Kusari tutje shtoi se po punohet drejt edukimit për ruajtje të energjisë dhe drejt krijimit të investimeve.
Drejtori Menaxhues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Petrit Pepaj, theksoi se sa i përket konsumit, Kosova konsiderohet si lider në Ballkan. Ai tregoi se industria e përbën vetëm 30% të këtij konsumi, kurse pjesën tjetër e përbën amvisëria. Në vazhdim, Pepaj tha se po punohet në ligjin e ri për vetë-konsum ku do të përcaktohet kufiri për vetë-konsum dhe kapacitetet e kyçjes.