Komiteti për Çështje Ligjore në takim me Zëvendëskryesuesin e KGJK-së

Prishtinë, 8 prill 2022 – Për të diskutuar rreth objektivave dhe projekteve të Komitetit për Çështje Ligjore të Odës Amerikane, dhe pastaj për të trajtuar edhe temën e ndikimit të Gjykatës Komerciale, ky komitet mbajti takim me institucionet gjyqësore të shtetit dhe përfaqësues të Programit të USAID për Drejtësi Komerciale.

Qerim Ademaj, Zëvendëskryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se meqenëse Këshilli ka për qëllim që Gjykata Komerciale të funksionalizohet brenda gjashtë muajve, grupi i parë i gjyqatarëve do të zgjedhet me konkurs të brendshëm. Ai shtoi se ky proces do të fillojë pasi të zgjedhet Kryesuesi dhe Administratori i Gjykatës. Në vazhdim, Ademaj tha se kjo gjykatë do t’i ketë gjithsej 15 gjyqtarë, 9 në instancën e shkallës së parë dhe 6 në instancën e shkallës së dytë, duke përfshirë këtu edhe Kryetarin e Gjykatës.

E pranishme në këtë takim ishte edhe Zëvendësudhëheqësja e Programit të USAID për Drejtësi Komerciale, Vjosa Shkodra, e cila tha se në Akademinë e Drejtësisë janë trajnuar 18 ekspertë të çështjeve komerciale, të cilët do të jenë të gatshëm të kontribuojnë në trajnimin e gjyqtarëve të ri.

Më tutje, anëtarët e Komitetit për Çështje Ligjore diskutuan për mënyrat se si ky komitet mund të asistojë në funskionalizimin sa më të shpejt të Gjykatës Komerciale.