Komunikimi ndërnjerëzor një ndër sfidat kryesore në zhvillimin e kompanive të TI

Prishtinë, 20 prill 2021 – Zhvillimi i teknologjisë ka ndryshuar mënyrën e menaxhimit të njerëzve në mënyrë eksponenciale viteve të fundit. Ky ndryshim, pozitiv apo negativ, i ka shtyrë shumë kompani që të adaptohen me qasje të reja ndaj teknologjisë në fushën e menaxhimit. Duke marrë parasysh këtë, si dhe për të diskutuar rreth kompetencave dhe burimeve të nevojshme për të arritur harmoninë dhe ekuilibrin midis njerëzve dhe teknologjisë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar forumin virtual mbi menaxhimin e njerëzve në një mjedis të drejtuar nga teknologjia.

Astrit Leti, Kryeshef Ekzekutiv në Cacttus, vëri një theks të veçantë në të pasurit menaxherë të mirëfilltë që posedojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të ndërvepruar me punëtorët. Sipas tij, është po ky ndërveprim i mirëfilltë – që është po ashtu një sfidë – mes menaxherëve të aftë dhe punëtorëve që hap rrugë drejt suksesit të kompanisë në ofrimin e produkteve cilësore. Po ashtu, duke qenë se punonjësit janë aset me vlerë, ai theksoi që në mënyrë që punëtorët të jenë sa më produktiv, atyre duhet t’u ofrohen trajnime, si dhe të kenë mendësinë se ambienti i punës, fizik apo në distancë, nuk është i rëndësishëm përderisa ofrohet shërbimi i kërkuar.

Veç kësaj, Leti u shpreh shumë optimist rreth personave që mendojnë të kalojnë nga fusha e tyre aktuale në fushën e TIK duke theksuar se kjo është e mundur falë literaturës së mjaftueshme që gjendet online. Po ashtu, duke qenë se në Kosovë gjenden 400 kompani të TI, ekziston një perspektivë e jashtëzakonshme në digjitalizimin e kompanive vendore dhe në aftësimin e punëtorëve të tyre në përdorimin e teknologjisë.

Për më shumë, Fatos Ameti, Kryeshef Ekzekutiv në Sonnecto, theksoi se kompanitë vendore të TIK duhet të përkrahen sepse këto kompani mund të krijojnë platforma të ndryshme në dobi të vendit. Ameti, po ashtu, ceku se për të pasur klientë të kënaqur, një kompani duhet të investoj në fuqinë e saj punëtore dhe teknologjinë e saj. Më tej ai theksoi nevojën për të qenë në vazhdimësi në konsulencë me punonjësin ku kjo ndikon që punonjësi të shpërfaqë ide të reja që ndikojnë në avancimin e teknologjisë. Kjo, gjithashtu duhet pasuar edhe me motivimin e punëtorëve, vlerësimin e suksesit të tyre dhe trajnime. Siç e cek Ameti “kur punonjësi është i kënaqur, edhe produkti do të jetë sa më i mirë”. Po ashtu, për këdo që dëshiron të inkuadrohet në fushën e teknologjisë, Ameti rekomandon për fillim përcaktimin e fushës që dëshiron ta ndjek një person, të mësoj si dhe të fitoj certifikime të ndryshme kombëtare apo ndërkombëtare.

Tutje, Drejtoresha e Operacioneve të Biznesit në UCX, njëherit edhe moderatorë e kësaj ngjarjeje, Jeta Zagragja, theksoi faktin se shumë të rinj në Kosovë dëshirojnë të inkuadrohen në fushën e teknologjisë dhe në këtë mënyrë të kenë një rritje të vazhdueshme në karrierën e tyre. Zagragja, po ashtu e ceku nevojën për mbajtjen e punonjësve të TIK në tregun kosovar dhe mundësinë e këtyre punonjësve për t’u qasur në tregun e huaj.