Komuniteti i biznesit pret që Qeveria e re të demonstrojë stabilitet më të madh në qasje

Prishtinë, 16 shkurt 2021 –Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një tryezë të diskutimit me transmetim të drejtpërdrejtë, në të cilën bashkë me përfaqësues të Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, si dhe komiteteve përkatëse brenda kësaj organizate, u diskutua lidhur me rekomandimet e ndërmarrjeve të sektorit privat për Qeverinë e re, e cila pritet të krijohet pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Përkrahja e menjëhershme me pako ekonomike për bizneset e ndikuara nga pandemia, kompletimi i kornizës ligjore në mënyrë konsistente, sigurimi i furnizimit me energji elektrike, luftimi i ekonomisë joformale, funksionalizimi i ekonomisë së tregut dhe përkrahja ndaj prodhimtarisë ishin disa nga rekomandimet e përmbledhura të nxjerra nga ky diskutim, mes të tjerash.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, theksoi se duke qenë të vetëdijshëm mbi sfidat jo vetëm që e kanë karakterizuar ekonominë tonë në vazhdimësi, por edhe ato me të cilat jemi ballafaquar vitin e kaluar që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, Qeverinë e presin shumë detyra, ndërsa Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë do të vazhdojë të jetë aktive në përpjekjet e saj avokuese, dhe do t’i dorëzoj Qeverisë një dokument me rekomandime të përmbledhura të sektorit privat.

Pjesë e panelit për këtë diskutim ishte Dardan Sejdiu, konsulent dhe anëtar i Odës Amerikane, i cili tha se pritshmëria e tij e parë është kohëzgjatja e një mandati të plotë të Qeverisë, të cilën e konsideroi si parakusht për stabilitet të përgjithshëm shoqëror, e në veçanti në aspektin ekonomik dhe atë të politikave që ndikojnë në zhvillim. Sipas Sejdiut, marrë parasysh tkurrjen e ekonomisë për shkak të pandemisë, Qeveria duhet të shfrytëzojë nivelin e ulët të borxhit publik dhe të intervenojë në mënyrë serioze duke derdhur para në ekonomi, dhe paralelisht të ofrojë një qartësi të politikave fiskale dhe tregtare, për të ju dhënë siguri bizneseve të investojnë.

Tutje, ai tha se pret që Qeveria në përgjithësi të ketë një qartësi për sa i përket politikave tregtare e fiskale, pronës shoqërore dhe asaj publike, skemave të mbrojtjes sociale. Një qartësi e tillë do të ndikonte në një shtendosje të përgjithshme dhe rrjedhimisht do të rriste konsumin, duke pasur njëfarë ndikimi në rritjen e kërkesës aggregate, që pastaj do të nënkuptonte edhe rritje të të hyrave publike.

Ndërsa, ndërmarrësi dhe anëtari i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane Ardian Hoxha, gjatë këtij forumi shprehu pakënaqësitë e tij të përgjithshme me zvarritjet e intervenimit të shtetit në ekonomi, duke e mbajtur përgjegjëse të gjithë klasën politike për rolin e tyre në mosimplementim të ndihmës ndaj ekonomisë. Hoxha tha se pas fushatës së fundit zgjedhore, komuniteti i biznesit me të drejtë pret nga Qeveria e re një hapje totale të ekonomisë, pa restrikcione ndaj pandemisë. Për më tepër, ai ritheksoi nevojën për implementim të pakove ekonomike në ndihmë ndaj sektorit privat, duke konsideruar edhe mundësitë për rritje të huamarrjes publike.

“Duhet të bëhet një SWOT analizë për të parë ku qëndron Kosova me shtetet e rajonit, dhe më gjerë, dhe të fokusohemi në mundësitë shumë më tepër se sa në rreziqet apo pikat e dobëta që i kemi,” tha Hoxha.

Pjesëmarrës në këtë tryezë të diskutimit ishin edhe përfaqësues dhe kryesues të komiteteve përkatëse të Odës Amerikane. Kryesuesja e komitetit Tatimor, Gresë Rexhepi nga kompania PwC, theksoi nevojën për marrje seriozisht të kalimit të legjislacionit fiskal, si dhe luftim të informalitetit. Kryesuesi i komitetit për Tregti dhe Dogana, Avni Krasniqi nga kompania Delfin, përmendi nevojën për formalizim të tregut, i cili do të bënte edhe qartësimin e politikave fiskale dhe tregtare.

Shkumbin Muçolli, anëtar i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane rekomandoi krijimin e pakove të dedikuara për sektorët e prekur më rëndë nga pandemia, si dhe digjitalizimin dhe formalizimin e ekonomisë. Për një pikëpamje të sektorit të prodhimit, Gojart Kelmendi nga kompania EuroKosova, anëtar i komitetit të Prodhimit, tha se pret nga Qeveria që shpenzimet publike t’i orientojë në prodhime vendore, si dhe të krijojë lehtësira tatimore për eksport. Ndërsa, Mal Osmani, përfaqësues nga kompania Deloitte, theksoi nevojën për orientim në politika të gjelbra dhe zhvillim të qëndrueshëm.