Konferencë mbi Arbitrazhin e Investimeve për Biznese dhe Profesionistët Ligjorë

Prishtinë, 4 maj 2017 – Qendra e Arbitrazhit brenda Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar Konferencën mbi Arbitrazhin e Investimeve për Biznese dhe Profesionistët Ligjorë. Korab Sejdiu dhe Ardi Shita dhanë një pasqyrë të mirëfilltë të kornizës ligjore në Kosovë që aplikohet drejtpërdrejt në investimet e huaja dhe benefitet e zgjidhjes së kontesteve që burojnë nga këto marrëdhënie profesionale përmes arbitrazhit.

Sejdiu u fokusua në zgjidhjen më të shpejtë të këtyre kontesteve përmes arbitrazhit duke e vënë theksin mbi autonominë e vullnetit të palevë t’i nënshtrohen procedurës së arbitrazhit për shkak të mundësisë së zgjedhjes së arbitrave si dhe rregullave të procedurës, gjithmonë duke pasur ndër mend edhe konfidencialitetin dhe zbatimin më të lehtë të vendimeve. Sipas Sejdiut, mos optimi për arbitrazhin në krahasim me gjykatat, kur bëhet fjalë për konteste ekonomike, sidomos të atyre ndërmjet palëve vendase, paraqet “shkelje profesionale”.

Shita theksoi problemin që investitorët e huaj kanë me zvarritjen e procedurave gjyqësore, por theksoi që të njëjtit kanë parimisht problem me sundimin e ligjit në territorin e Kosovës, pastaj edhe me nivelin e ulët të optimst për arbitrazhin ndërmjet akterëve të biznesit. Ndërmjet tjerash, panelistët ngritën edhe çështjen e amandamentimit të Ligjit të Punës dhe ngritën rëndësinë e mundësisë së përfshirjes të kontesteve që dalin nga marrëdhënia e punës, përmes arbitrazhit.